E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referendumi, KQZ: Firmat u falsifikuan

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Zëdhënësi i KQZ ka reaguar dje pas deklaratave të ambasadorit të SHBA: Kemi afat deri më 28 qershor.

Olli: Janë hedhur nga e njëjta dorë, Kajsiu: Janë 50 mijë të rregullta.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar dje lidhur me deklaratat e ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, për moslejimin e referendumit kundër importit të mbetjeve.
KQZ-ja, në deklaratën se saj ka hedhur poshtë pretendimet e Aleancës Kundër Importit të Plehrave për skadimin e afatit të kthimit të përgjigjes, që sipas zëdhënësit Leonard Olli përfundon më datë 28 qershor. KQZ në deklaratë thekson se nga verifikimi i 65 mijë firmave të depozituara në KQZ për mbajtjen e referendumit, rezulton se janë hasur firma të nënshkruara nga një dorë dhe që janë dërguar për ekspertim në laboratorin e Kriminalistikës të Drejtorisë së Shtetit. Nga ekzaminimet e kryera, KQZ-ja deklaron se nga kampionet e dërguara pranë laboratorit, rezulton se 70% e firmave janë të falsifikuara, pra të plotësuara nga një individ i vetëm. Më datë 22.06.2012, me shkresën nr.2407. prot, Drejtoria e Policisë Shkencore dërgon përgjigje për aktin e ekspertimit grafik të nënshkrimit. Nga akti i ekspertimit nr.5905 rezulton se rreth 70% nga totali i kampioneve të dërguara nga ana jonë janë të falsifikuara. Në këto rrethana, KQZ-ja do të mblidhet për të marrë vendimin përkatës, brenda të gjitha afateve kohore të përcaktuara nga kuadri ligjor, thuhet në deklaratën e KQZ-së. Ndërkohë kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, i pyetur nga Panorama, theksoi se nga verifikimet, një numër firmash kanë qenë të dyshimta dhe janë dërguar për ekzaminime. Ristani theksoi se në rast se firmat do të rezultojnë të falsifikuara, atëherë personat përgjegjës do të paditen në Prokurori. Në rast se rezulton kështu, do të jemi para krimit të falsifikimit dhe kriminelët do të kallëzohen në Prokurori për falsifikim, gjithmonë në rast se do të provohet ky fakt nga laboratori i Kriminalistikës, tha Arben Ristani.
Reagimi
Anëtari i Aleancës Kundër Importit të Plehrave, Blendi Kajsiu, deklaroi dje për Panorama se nuk janë në dijeni të kampioneve të dërguar nga KQZ-ja për ekspertim. Sipas Kajsiut, nuk përjashtohet mundësia e firmave nga e njëjta dorë, por ai u shpreh i sigurt që janë 50 mijë firma të rregullta për të mundësuar zhvillimin e referendumit kundër import të mbetjeve. Ne themi që në ato firma që kemi dorëzuar nuk përjashtojmë mundësinë që ka firma që janë hedhur nga e njëjta dorë, pra, ne vetë kemi hequr mbi 5 mijë të tilla që ne i kemi parë me sy, sepse ne nuk kemi institut kriminalistike. Kështu që qëndrimi jonë është që mbi 50 mijë firma që janë dorëzuar janë të rregullta dhe fakti që qytetarët kanë dhënë fotokopjen e kartës së identiteti është treguesi i qartë i vullnetit të qytetarëve për të mbajtur një referendum, deklaroi Kajsiu.

Falsifikimet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas burimeve, mësohet se ka dërguar për verifikim në laboratorin e Kriminalistikës pranë Policisë së Shtetit një numër jo më të madh se 150 firma të dorëzuara nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave. Sipas ekzaminimit të ekspertëve ka rezultuar se nga këto firma, rreth 70% e tyre janë të shkruara nga një person, i cili ka vendosur emrin, mbiemrin dhe firmën.

Totozani: Grup pune për të nxitur KQZ-në

Takimi i djeshëm

Përfaqësuesit e Aleancës Kundër Importit të Plehrave kanë zhvilluar dje një takim edhe me Avokatin e Popullit, Igli Totozani, tek i cili shprehën shqetësimin për pengesën që sipas tyre po u bën KQZ-ja për të mos lejuar zhvillimin e referendumit kundër importit të plehrave. Gjatë takimit, përfaqësuesit e AKIP-së kanë marrë mbështetjen nga Avokati i Popullit për të ndërhyrë në marrjen e një përgjigjeje nga KQZ-ja, në mënyrë që të respektohet vullneti i 65 mijë qytetarëve që kanë firmosur për referendumin kundër importit të plehrave. Z. Totozani vazhdoi më tej duke siguruar se do të bëjë të gjitha përpjekjet për ta trajtuar dhe për ta nxitur KQZ-në të përgjigjet në mënyrë sa më korrekte dhe do të urdhërojë ngritjen e një grupi pune që sot. Avokati i Popullit theksoi se është detyrim kushtetues që institucioni që ai drejton ta ndjekë çështjen deri në hallkën e fundit, thuhet në deklaratën për shtyp të Avokatit të Popullit.

FATION BINJAKU

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›