Bushati: Malta, nxehmja para Azerbajxhanit
Për Artan Bushatin ndeshja e sotme ndaj Maltës është diçka më shumë se një eksperiment. Tekniku dëshiron të kolaudojë ekipin para takimit zyrtar me Azerbajxhanin në shtator duke pasur parasysh se për atë përballje ai ka marrë edhe "bekimin" e trajnerit të kombëtares Josip Kuzhe për të pasur në dispozicion Hykën, Lilën dhe Veliun. "Do jetë një takim që do na vlejë shumë për ndeshjen e radhës me Azerbajxhanin. Mes Maltës dhe azerëve ka diferenca pasi maltezët janë më të dobët por gjithsesi unë tentova të përzgjidhja një kundërshtar të përafërt për të përgatitur më së miri skuadrën për këtë ndeshje. Sigurisht që në dispozicion për ndeshjen me Azerbajxhanin do të kemë edhe tre lojtarë të Kombëtares A Hykën, Lilën dhe Veliun, përderisa më datë 5 kjo skuadër e ka pushim ndaj besoj se do të mund të marrim rezultat", ka pohuar Bushati në një prononcim dje për gazetën Panorama Sport. Më tej tekniku ka sqaruar se fitorja ndaj Maltës ndonëse do ta gëzonte, nuk përbën një domosdoshmëri. "Shiko, absolutisht do të dëshiroja të fitoja ndaj Maltës por për të qenë i sinqertë më tepër do të më interesonte fitorja më 5 shtator sesa nesër (sot). Megjithatë nëse vjen edhe pas një loje të bukur të ekipit atëherë nuk ka më mirë", ka përfunduar Artan Bushati. Ndeshja e Shpresave mes Shqipërisë dhe Maltës do të zhvillohet sot në stadiumin 'Niko Dovana" të qytetit të Durrësit në orën 17:00 dhe do të gjykohet nga një treshe arbitrash nga vendi ynë me kryesor Sokol Jarecin.