Malaj: Qeveria, sjellje arrogante me organizmat ndërkombëtare
Partia Socialiste shprehu dje publikisht shqetësimin për qëndrimet e qeverisë Berisha me institucionet financiare ndërkombëtare. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, vlerësoi se me ardhjen në pushtet, qeveria Berisha vështirësoi ndjeshëm dhe në disa raste edhe bllokoi fillimin e disa projekteve, për të cilat ishin nënshkruar edhe marrëveshjet financiare me donatorët. Sipas tij, qeveria bllokoi për rreth tre vjet investimin rreth 70 milionë eurosh në rrugën Fier-Tepelenë, projekt i financuar nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim dhe Banka Evropiane për Investime. "Qeveria bllokoi për dy vjet projektin e TEC-it të Vlorës, projekt që do të lehtësonte krizën energjetike, me kapacitet prodhues 85-135 MW, i mbështetur nga Banka Botërore, BERZH dhe BEI", sqaroi Malaj. Ai konstatoi sakaq se qeveria gjatë këtyre viteve dështoi në koordinimin dhe thithjen e financimeve nga donatorët e huaj. Ndërsa investimet e huaja nga donatorët gjatë viteve 2005-2008 u pakësuan ndjeshëm, duke u kompensuar me kredi e me kushte të rënda tregtare, çka rëndon mbi taksapaguesit shqiptarë dhe cilësinë e jetës së tyre. "Rasti më i turpshëm i dështimit është projekti i zonës bregdetare, në vlerën 38.6 milionë dollarë, dhe që financohet nga pesë donatorë, ku Banka Botërore financon rreth 50% të projektit", nënvizoi Malaj. Ish-ministri vlerësoi se deklarata e fundit e qeverisë Berisha, se ajo është e zonja t‘i tregojë derën Bankës Botërore për këtë projekt, siç ka bërë në vitin 1996 dhe siç bëri pak kohë më parë edhe me propozimin e ofruar nga FMN për ta asistuar nga afër Shqipërinë në këtë periudhë paqartësish të risqeve ekonomike në rritje, është dëshmi e dështimit dhe arrogancës së kësaj qeverie. "Deklaratat kontradiktore nga anëtarë të ndryshëm të qeverisë, angazhimi negativ për ta konsideruar dështimin përgjegjësi vetëm të bankës dhe të luftës së brendshme të saj, mashtrimi me eliminimin e njollave të projekteve të mëparshme, lodhja për të gjetur se kush ka nxjerrë të dhëna konfidenciale të raportit të investigimit për median", u shpreh Malaj.