E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Meta: Nuk do të jem i pari në listën e kandidatëve për deputetë

Ilir Meta deklaroi dje se nuk do ta vendosë emrin e tij në krye të listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit. Këtë qëndrim e bëri të ditur në mbledhjen e komitetit drejtues kombëtar të partisë, ku analizoi zhvillimet e fundit politike. Duke ju referuar politikës aktuale, Meta tha se asaj po i del çdo ditë boja, ashtu sikurse dhe fasadave në qendër të Tiranës. Kjo çoroditje e tyre, sipas Metës, por edhe identiteti ynë gjithnjë edhe më i fortë, rritja e besimit që kanë njerëzit ndaj LSI-së, i detyron sekserët e kryetarit të PS-së, që kujtdo përfaqësuesi të LSI-së që i del përpara, t‘i premtojë leje ndërtimi dhe para kesh në dorë, pikërisht për të shtuar radhët e asaj që tashmë quhet Koalicioni i Bashkisë dhe i lejeve të ndërtimit. "Ndaj neve nuk na vjen aspak keq për këtë rrugë që ata kanë zgjedhur, pasi i kemi paralajmëruar prej kohësh që rruga e kapjes është rruga e dështimit. Por padyshim që nuk mund të fshehim keqardhjen tonë për përdorimin e neveritshëm të ndonjërit që më parë ka aderuar edhe në këtë forum të nderuar, sikurse është dhe rasti i znj. Uruçi", tha Meta. Kjo, shtoi ai, pa pikë turpi del në televizion dhe thotë që me Ilir Metën ndan pikëpamje të ndryshme. "Ne nuk ndalojmë askënd që të shitet për tre aspra, dhe aq më tepër nuk pranojmë askënd që vë kushte në LSI, se po nuk qe i pari në listat për deputet, do të bëhet kiameti, përkundrazi", u shpreh Meta. Sepse, sqaroi ai, vetë kryetari i LSI-së nuk ka qenë i pari në listën për deputet në 2005-ën. "Dhe as kam ndërmend të jem i pari në listën për deputet edhe në zgjedhjet e 28 qershorit, sepse mendoj që LSI-ja është krijuar në funksion të qëllimeve shumë më të mëdha sesa për të garantuar Ilir Metën apo cilindo tjetër që ka frikë nga e ardhmja, që nuk shikon përtej momentit, dhe për më tepër që shitet fare lirë", deklaroi kreu i LSI-së. Sakaq, socialistët, përmes Mimi Kodhelit, deklaruan dje se Meta është kthyer në ministër për opozitën në qeverinë "Berisha". Gjatë fjalës së tij, Meta konstatoi me entuziazëm se përkrahja për partinë e tij vjen si rezultat i përforcimit dhe bindjes gjithnjë dhe më shumë te qytetarët shqiptarë për Lëvizjen Socialiste për Integrim, se si asnjë forcë tjetër politike në këto dy dekada është partia e misioneve dhe e kauzave të mëdha, në shërbim të vendit dhe në shërbim të çdo qytetari shqiptar. "Kauzat tona janë ato kundër kastës dhe monopoleve, të mbrojtjes së Kushtetutës dhe sovranitetit të popullit shqiptar, për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vend, për mbrojtjen e mjedisit që kërcënohet nga të dyja alternativat e vjetra qeverisëse në vend", insistoi Meta. Me këtë mision dhe moral, premtoi ai, ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen dhe jo vetëm deri më 28 qershor, por akoma më shumë pas kësaj date kur mundësitë tona do të jenë akoma më të mëdha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›