E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama, një kryetar pa buxhet

Më votoni, që t‘ju rris rrogat e pensionet! Kthimi majtas është kthim prapa. Me këto slogane u është drejtuar dje Kryeministri Sali Berisha simpatizantëve të mazhorancës në Rrogozhinë. Edhe këtë fundjavë kreu i ekzekutivit vijoi turin elektoral, duke përuruar fillimin e punimeve në një aks të rëndësishëm rrugor kombëtar, si dhe duke premtuar se gjatë mandatit të dytë shumë reforma rrënjësore do të ndërmerren në sektorë të rëndësishëm të zhvillimit në vend. Berisha gjatë fjalës së tij premtoi sistemin më modern rrugor në rajon dhe njëkohësisht sistemin shëndetësor më human dhe më kompetent në rajon, teksa i ka kujtoi liderit të opozitës se i kanë mbetur veç 132 ditë për t‘u bërë kryetari i partisë së bashkisë. "Një kryetar pa buxhet", e cilësoi ai rivalin politik, duke thënë se zgjedhjet do t‘i heqin petkun e kryetarit të opozitës dhe do e lënë vetëm në pozicionin e Kryebashkiakut të Tiranës, ku gjithsesi do e ketë të vështirë, "sepse buxhetin s‘po e kalon dot, sepse qytetarët duan buxhet për qytetarët, jo për kryetarin e bashkisë". Ditën e djeshme u përurua fillimi i punimeve për zgjerimin me katër korsi të rrugës Plepa-Rrogozhinë, një nga segmentet më të rëndësishme të autostradës kryesore të vendit, po dhe njëkohësisht shumë problematike, që do të lidhë Veriun me Jugun. Berisha u shpreh se qeveria e tij është e vendosur t‘u japë shqiptarëve rrjetin rrugor më modern në të gjithë rajonin, duke u ndalur konkretisht në segmentet ku do të investohet gjatë këtij viti elektoral, po dhe gjatë periudhës në vazhdim, duke shfaqur besim se partia e tij do të sigurojë dhe një tjetër fitore në zgjedhjet e qershorit. "Jemi të vendosur që në mandatin e dytë të asfaltojmë e sistemojmë mijëra km rrugë rurale. Zhvillimi i qëndrueshëm rural, ndërtimi i rrugëve, ujësjellësve, kanalizimeve e shkollave moderne mbetet përparësia jonë më madhore", nënvizoi kreu i ekzekutivit në Durrës. Duke u ndalur në mandatin e ardhshëm, Berisha tha se do të përqendrohet tërësisht në një reformë të thellë shëndetësore, e cila ka nisur këtë vit. Premtimi ka tingëlluar i përsëritur, megjithatë ai theksoi se reforma e shëndetësisë është reforma më e vështirë për çdo vend. Rritja e pagave të infermierëve nga muaji maj dhe ofrimi i shërbimeve më të mira, më moderne për qytetarët, kanë qenë premtimet e radhës, ashtu siç u premtua se dhe mandati i dytë do të jetë i përqendruar te rrogat dhe pensionet: "Ju garantoj se për sa kohë të mbetem në qeveri dhe të më votoni, nuk do të kem qëllim më të madh se rritjen e rrogave dhe pensioneve të shqiptarëve", nënvizoi Berisha. Për të siguruar një përballje të egër me korrupsionin, Berisha premtoi akordimin e më shumë fondeve në këtë drejtim, ndërsa theksoi ndryshimin e shpejtë të vendit në krahasim me shtetet e tjera. Në vijim të fjalës së tij, Kryeministri shpalli në Durrës disa nga përparësitë e qeverisë së tij për mandatin e ardhshëm, kurse të tjerat, siç ai tha, janë në përpunim. Duke u ndalur në cilësinë e investimeve të bëra gjatë 8 viteve të qeverisjes socialiste, Berisha ftoi të vlerësohet superstrada e arnuar Vorë-Durrës, pagat e arsimtarëve në 2005-ën, të pensionistëve dhe gjendja e shkollave deri në atë vit. Për asnjë moment Berisha nuk la të kuptohet se si menaxher qeverisës i këtij vendi ka marrë në konsideratë dhe indeksin e çmimeve, nivelin e papunësisë dhe një sërë problemesh që kanë ndikuar ndjeshëm në nivelin e jetesës së qytetarëve shqiptarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›