E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, qeveria ka përgjegjësi të gjejë zgjidhje për bizneset

Sami Gjergji, i ardhur nga fusha e biznesit, tashmë deputet i PD-së, duke folur për "Shqip", del hapur në mbrojtje të sipërmarrjes private, duke mos fshehur shqetësimet që lidhen me krizën botërore financiare. "Qeveria ka përgjegjësinë të gjejë zgjidhje për biznesin, por jo vetëm", u shpreh Gjergji, duke shtuar se çështja i takon për diskutim të gjithëve, përfshi edhe opozitën, e cila "nuk duhet ta përdorë për interesa politike".

Zoti Gjergji, kohët e fundit bizneset kanë bërë publike shqetësimet e tyre në lidhje me ndikimin e krizës financiare globale. Ju vini në politikë nga fusha e biznesit, si i komentoni shqetësimet e tyre?

Në parim, shqetësimet e biznesit, veçanërisht, në rrethanat dhe mjedisin e krijuar nga kërcënimet e krizës ndërkombëtare financiare, së pari, janë të drejta dhe së dyti, duhen ndjekur me shumë seriozitet nga të gjithë: qeveria, qarqet politike dhe ajo që ne e quajmë shoqëria civile. Arsyeja kryesore për këtë them se nënkuptohet qartë nga gjithkush, pasi nga veprimtaria ekonomike e biznesit shqiptar varet rritja ekonomike e vendit, ose rënia, ose ruajtja e ritmeve të rritjes së saj.

A nuk mendoni se përgjegjësia kryesore për sa i përket shqetësimeve të biznesit bie mbi qeverinë?

Në kuptimin e një periudhe zgjedhore, në fakt është qeveria ajo që ka përgjegjësinë kryesore, të paktën deri në qershor të vitit 2009, ndërsa në kuptim të zhvillimit të vendit në terma perspektivë, përgjegjësia është po aq edhe e opozitës dhe shoqërisë civile.

Si mund ta provoni me fakte një gjë të tillë?

Ka një angazhim serioz të qeverisë për të marrë në konsideratë shqetësimet e biznesit për t‘i dhënë rrugëzgjidhje atyre dhe një indiferencë të habitshme të opozitës së majtë në lidhje me shqetësimet e biznesit.

Cilat janë bizneset që kanë shprehur shqetësime, ose kanë filluar të ndjejnë pasojat e para të krizës?

Mbi të gjitha, bizneset eksportuese dhe ndërmjet kësaj kategorie rieksportuesit (ose industria e produkteve të tekstileve dhe këpucëve), që zuri një peshë të konsiderueshme të eksporteve shqiptare në vitin 2008, më pas vjen ndërtimi dhe për pasojë bizneset që prodhojnë dhe tregtojnë materiale ndërtimi, gjë që shkakton rënien e ndërtimeve dhe rrezikun e papunësisë dhe rënien e shitjeve të apartamenteve të ndërtuara.

Ndërtuesit kanë deklaruar se kriza do të rrisë shanset e tyre për shitjen e apartamenteve?

Nuk dua të marr përsipër rolin e profetit, por do të desha t‘i referohem përvojës sime të gjatë në biznes. E para, krizat brenda vendit, sado të vogla kanë qenë, nuk i ka paralajmëruar askush. E dyta, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me krizën financiare globale. Mos gabohem simptomat e para të ndikimit të krizës në Shqipëri (nga shqetësimet e shprehura rastësisht nga disa biznese të eksportit të tekstileve dhe këpucëve), janë ndjerë diku aty nga mesi i vitit 2008, por që nuk u vlerësuan (në mënyrë të kuptueshme) nga qeveria, biznesi dhe shoqëria civile për shkak të inercisë së rritjes ekonomike, çka u mbulua nga diskutimet në lidhje me përqindjen e rritjes ekonomike të ekonomisë së vendit.

Mendoni se ky ishte shkaku i euforisë që përfshiu qeverinë dhe Bankën e Shqipërisë?

Nga përvoja personale në biznes për rreth 17 vjet kam arritur në përfundimin e vetëm se ka disa faktorë që njihen dhe mund të maten gjatë ecurisë së tyre në treg, por ka edhe disa faktorë që nuk njihen dhe aq më shumë, që nuk mund të matet influenca e tyre në treg. Shikoni me kujdes atë që thuhet në mbarë botën në lidhje me krizën: bëhet e ditur se inventarët, ose gjendja e mallrave të prodhuara është më e madhe se kërkesa e tregut, se ka pasur shitje të produkteve parësore dhe sekondare financiare (veçanërisht këto fundit) larg prej realitetit të aftësisë paguese për të shlyer huatë bankare.

Ju përmendni më lart fjalët "krizë financiare globale". Si e kuptoni ju në kontekstin shqiptar? A lidhet kjo me sistemin bankar dhe veprimtarinë e tij të brendshme dhe të jashtme?

Në fakt, analistët botërorë, por edhe ata vendas, kanë ardhur në përfundimin se kriza financiare globale do të ndikojë mbi eksportet shqiptare, të ardhurat nga emigracioni dhe në raportin import/eksport. Por ndikimi i parë u pa në muajt tetor-nëntor, veçanërisht në Rrethin e Durrësit, ku emigracioni shqiptar në Itali dhe Greqi, "i alarmuar" nga pasojat e mundshme të krizës financiare globale, tërhoqi shuma të konsiderueshme nga depozitat bankare dhe nga informacioni verbal thuhet se u përdorën për blerjen e pasurisë së patundshme, që nxiti shoqëritë e tregtimit të bënin parashikime optimiste, duke e vënë në "gjumë" opinionin publik. Për të mos përhapur panikun te depozituesit, BSH-ja dhe sistemi bankar, qëndruan në heshtje me shpresë se për shkak të mospërfshirjes në tregjet e infektuara në lidhjet e tyre private ndërkombëtare, efektet e krizës do të shuheshin vetvetiu.

Mendoni se ka pasur eufori?

Për aq kohë sa askush nuk arrin të parashikojë në kohë tiparet karakteristike dhe përmasat e një krize, mund të nënkuptosh shumë. Në këto rrethana, akuza e parë bie mbi strukturat shtetërore financiare, por të mos harrojmë se instinkti njerëzor për të siguruar mbijetesën, që në rastin e konsumatorit shqiptar është shumë i ndjeshëm, bën që të frenohet veprimtaria normale e blerjeve individuale. Frika nga papunësia dhe dëshira për të siguruar të mira materiale për mbijetesë, që përfshiu punëmarrësit e prodhuesve për eksport të tekstileve dhe këpucëve, u shtri edhe në shtresat e tjera të punëmarrësve në industri të tjera. Për ta kuptuar më mirë shqetësimin do të merrja si shembull agro-industrinë, shitjet e së cilës nuk janë ulur, por në të njëjtën kohë nuk kanë të njëjtat ritme të rritjes krahasuar me vitet e kaluara. Sesa është ndikimi i vërtetë nga rënia e të ardhurave nga emigracioni dhe sa nga frika, askush nuk mund ta masë për shkak se pjesa më madhe e dërgesave bëhet me para në dorë.

Biznesi ka shprehur shqetësime në lidhje me "ngurtësinë" e sistemit bankar. Si e shpjegoni një dukuri të tillë?

Nëse më lart deklarova se kriza është financiare dhe globale, kuptohet se bëhet fjalë për falimentimin e disa bankave që nuk arrinin të mblidhnin huatë e dhëna për blerjen e shtëpive dhe për veprimtari të tjera të biznesit. Për këtë arsye bankat kanë rritur masat e sigurisë, madje në nivele të tilla për të cilat kritikohen si të ngurta, por që shpjegohet me faktin se edhe vendimmarrjet e bankave janë njerëzore dhe nisen nga sigurimi i depozitave. Është kjo arsyeja që Kryeministri Berisha në Davos përmendi faktin që ekonomia shqiptare duhet t‘i ruhet frikës.

Por opozita e majtë në këto ditë paraelektorale bën thirrje për të tjera gjëra, si për shembull për furnizimin e fermerëve me karburant pa akcizë, për punësim masiv të popullsisë, për legalizimin e shtëpive, ose trojeve të zëna me shtëpi, etj., duke e akuzuar qeverinë "Berisha" për korrupsion. Si e gjykoni ju këtë?

Kthimi te "përralla" e furnizimit të karburantit pa akcizë, e deri te legalizimi, nuk ia ngre "kuotën" politike opozitës së majtë. Në qoftë se pas këtyre "pretendimeve" nuk ka shifra ose një "plan biznesi" me shifra dhe të dhëna në lidhje me të ardhurat dhe politikat për zhvillimin e ekonomisë, atëherë ka vetëm një gjë: dyshimin në vetvete në lidhje me zgjedhjet.

Qeveria po merret me shqetësimet e biznesit dhe bën mirë ta shtojë vëmendjen e saj ndaj këtyre shqetësimeve


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›