"Rrënjët e politikës së vjetër ndodhen në oborrin kryeministror"
Saranda ishte stacioni i radhës së kryesocialistit Edi Rama. Mesazhet e tij të ringjalljes së shpresës dhe të ndryshimit të politikës janë mbështetur nga vullnetarët e bashkimit të ri, që ka gjetur përkrahjen e një mase të qytetarëve sarandjotë. Në fillim ata që kanë mbajtur fjalën ishin qytetarë të thjeshtë, kryesisht të rinj, që kanë sjellë shqetësimet dhe problematikën e fushave të ndryshme nga vijnë, mes të cilëve edhe aktorja e mirënjohur e teatrit Kombëtar, Luiza Xhuvani. Në diskutimin e tij, kreu i socialistëve, Edi Rama, vuri në dukje mungesën e besimit të qytetarit te politika e bërë në këto 18 vjet, që ka çuar sipas tij "në varfërimin ekstrem, në analfabetizmin dhe në mosnjohjen e pronësisë në një vend ku dritat ikin, ku ka papunësi, ku mungojnë dhe abetaret, kur qeveria flet për moshën e internetit", konstatoi ai. Teksa Rama u foli të pranishmëve përse Shqipëria nuk mund të udhëhiqet nga të njëjtët personazhe, dikush nga salla ka lëshuar thirrjen "poshtë Ilir Meta". Ndaj tij kreu i selisë rozë reagoi duke thënë se nuk ishte për të sharë e për të ulur poshtë askënd, por për të ngritur shqiptarët dhe Shqipërinë para sfidës së ndryshimit. Fjala e Ramës para sarandjotëve ka sjellë dhe argumentuar arsyet e jetës së zymtë dhe të ekonomisë së shkatërruar kombëtare dhe asaj familjare, në një qeveri të korrupsionit të përbindshëm. Lideri i opozitës u ndal edhe në shkatërrimin që i është bërë Sarandës në këto vite, të cilin e ka cilësuar degjenerim të asaj pasurie që është edhe kombëtare. "Këto zgjedhje nuk janë të miat, por tuajat", ju drejtua ai qytetarëve, duke u kërkuar ta kthejnë fletën e historisë nëpërmjet votës, të cilët duhet ta përdorin si mjet ndryshimi në duart e qytetarit. Gjatë ndalesës në Gjirokastër, Rama tha se "kjo politikë e vjetër, që jeton vetëm me dështime, që i shkakton po vetë dështimet e saj, duhet të marrë fund, pasi ka vonuar rrugën e Shqipërisë drejt mirëqenies dhe zhvillimit". Kreu i PS-së këmbënguli se politika e vjetër që jeton me dështimet që i shkakton vetë, nuk duhet të vazhdojë më që të detyrojë moshat e reja të Shqipërisë, që të marrin malin dhe të shkojnë të punojnë në Greqi, ku shfrytëzohen si skllevër. "Kjo gjë duhet të marrë fund dhe ne, me qeverisjen tonë, do të bëjmë që strategjitë tona të vihen më mirë në shërbim të njerëzve", premtoi Rama.