E Diel, 1 Nëntor 2026

Çamët, qeverisë: Ngrini zërin për pronat dhe varrezat tona

Shoqata "Çamëria" i kërkoi dje qeverisë të tërhiqet nga qëndrimi servil ndaj Greqisë dhe të kërkojë ndërtimin e një varreze për çamët e vrarë nga gjenocidi grek. Kjo kërkesë, Kryeministrit Berisha i është bërë nga kreu i shoqatës, Ardian Tana, i cili nëpërmjet një letre shtron domosdoshmërinë e ndërhyrjes së shtetit për sa u takon varrezave të çamëve në Greqi. Sipas kryetarit Tana, çamët kanë të drejtë të kenë varrezat e tyre në shtetin grek, ashtu siç Athina zyrtare kërkoi varre për ushtarët grekë të rënë gjatë luftës në territorin e Shqipërisë. Gjatë një deklarate për shtyp, Tana deklaroi se prej kohësh i ka dërguar një letër Kryeministrit Berisha për këtë çështje, por ende, thotë ai, nuk është dhënë një përgjigje pozitive. Ai gjeti rastin t‘i kujtojë Kryeministrit dhe mbarë politikës nëpërmjet mediave se dëshmorët nuk duhen trajtuar me dy standarde dhe se qeveria shqiptare duhet të shkëputet nga qëndrimet servile ndaj shtetit fqinj. Çamët prej vitesh kanë ngritur zërin duke kërkuar të drejtat që ju takojnë pas dëbimit nga tokat e tyre, dhunimit dhe masakrimit që grekët ju kanë bërë. Sakaq, duket se zëri i tyre prej 18 vjetësh ka rënë në vesh të shurdhët, duke u transferuar nga njëra qeveri te tjetra. Pavarësisht kësaj, çamët duken të vendosur për të kërkuar të drejtat e tyre dhe një nga këto të drejta është ajo e pronës, prej së cilës mesa duket nuk kanë ndërmend të heqin dorë ndonjëherë. Kjo vërtetohet më së miri edhe nga vetë kreu i shoqatës çame, Ardian Tana, i cili kundërshtoi vendimin e autoriteteve greke mbi regjistrimin e pronave nga të huajt në Greqi. Sipas çamëve, ky vendim përjashton kategorikisht shtresën e tyre dhe bën fjalë vetëm për regjistrimin e shtetasve grekë që jetojnë jashtë Greqisë. Çamët i kanë kërkuar qeverisë që të nisë bisedimet me qeverinë greke për çështjen e pronave me ndërmjetësinë e ndërkombëtarëve. Ata këmbëngulin që çështja e njohjes së pronave të tyre në Greqi të ndërkombëtarizohet madje deri në Senatin amerikan. Gjithashtu ata i kërkojnë edhe faktorit shqiptar si brenda, ashtu edhe jashtë kufijve, të jetë më i ndjeshëm ndaj çështjes çame. Pavarësisht qëndrimeve të shtetit grek, apo të qeverisë shqiptare për të drejtat e tyre, kjo popullsi vazhdon të organizohet dhe të ngrejë zërin duke i treguar botës se ata ekzistojnë. Qëndrimet e fundit u bënë publike në një simpozium të mbajtur në Tiranë me temë "Abedin Dino dhe çështja çame sot". Sipas drejtuesve të Institutit të Studimeve për Çamërinë, ky simpozium është shumë i veçantë, sepse për herë të parë po bëhet një simpozium ndërkombëtar për këtë çështje. Në këtë aktivitet, çështja kryesore që është diskutuar ka qenë çështja çame dhe marrëdhëniet diplomatike shqiptaro-greke për minoritetet përgjatë viteve. Vlen për të theksuar se referencat nga Instituti i Historisë kanë qenë shumë interesante për sa i përket numrit të popullsisë çame dhe pronave të shumëpërfolura që kjo popullsi shqiptare ka në Greqi. Gjatë këtij simpoziumi kanë referuar edhe studiues të huaj nga Turqia, Austria, Gjermani dhe Anglia, të cilët në mënyrë të veçantë u ndalën në situatën aktuale të problemit çam dhe paraqitën alternativa për zgjidhjen e tij. Sipas organizatorëve të këtij simpoziumi, e rëndësishme është mbajtja gjallë e çështjes çame dhe mënyrat se si duhet të veprohet për një zgjidhje përfundimtare të kësaj çështjeje kaq delikate.

Shqipëri

Bakojanis konfirmoi marrëveshjen për varrezat greke

Pas bisedimeve disavjeçare është arritur marrëveshja mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndërtimin e dy varrezave greke në Shqipëri për ushtarët e rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo u konfirmua disa ditë më parë nga shteti shqiptar gjatë vizitës së ministres së Jashtme greke, Dora Bakojanis, në Tiranë. Tashmë në Shqipëri do të ndërtohet një memorial në varrezat ekzistuese në Gjirokastër dhe Këlcyrë. Palët do të ngarkojnë ekspertë të mjekësisë ligjore për ekzaminimet e eshtrave, të cilat do të nxirren nga gërmimet. Varrezat do të administrohen prej kishës ortodokse shqiptare, vetëm në aspektin humanitar të tyre. Mbas firmosje së marrëveshjes, ministrja Bakojanis deklaroi në komunikimin e saj me median se pala greke ishte e kënaqur me rezultatin e kësaj marrëveshjeje. Ministrja Bakojanis e pyetur nga mediat për çështjen e pronave të çamëve në vendin e saj u shpreh se shteti grek funksionon sipas ligjeve dhe pronat çame janë në dorë të drejtësisë. Përtej këtij qëndrimi nuk u konstatua asnjë detaj tjetër lidhur me fatin e këtyre pronave të çamëve, apo me çështjen e varrezave të kësaj popullsie.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›