Malaj: Tenderi i Kazinosë në rregull
23/02/2005 Ministri i Financave, Arben Malaj ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e opozitës, se është manipuluar tenderi për kompaninë, që do të ndërtojë kazinonë e parë në Shqipëri. Gjatë seancës së djeshme parlamentare, ai tha se "procesi i tenderit për firmën, që do të ketë të drejtën të ndërtojë një kazino në kryeqytet, është bërë në transparencë të plotë dhe në përputhje me të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave". Madje, si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të opozitës, Malaj ka theksuar se asnjë nga kompanitë e skualifikuara në këtë konkurs nuk ka bërë ankim për parregullsi. Ndërkohë, deputeti Uran Metko, ka nënvizuar se kohët e fundit, po shihet qartë një tendencë e qeverisë në privatizime, që paratë e shqiptarëve t’i vjedhin grekët, ashtu siç ndodh me kompanitë celulare në vend.