E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tronditja për...

23/02/2005  Pse na zhgënjen libri “Një dosje për Kadarenë”

Prej më se një viti, lexuesi shqiptar qe lajmëruar seriozisht se do të ballafaqohej së shpejti me një vepër dokumentare mbi fatin e Kadaresë dhe sidomos veprës së tij - në një kontekst të dendur spiunimesh, letrash anonime e raportesh nga institucionet shtetërore-politike të kohës së diktaturës. Qe mbajtur në tensionin e pritjes kureshtja e sinqertë e lexuesit kadarean dhe e kritizerëve të Kadaresë. Aq më intrigues ishte se libri po shkruhej nga drejtori i Arkivave të Shtetit, studiuesi i zellshëm, Shaban Sinani. Libri doli në qarkullim, luksoz, me letër të mirë, voluminoz me 390 faqe.

Tani është radha e lexuesit qindramijësh të Kadaresë, me kohë të interesuar, të shohë se ç‘prapaskena, çfarë aktesh spiunimi, të shohë emrat apo aludimet e sakta mbi emrat që ia nxinë jetën shkrimtarit më të madh shqiptar të shek.XX.

A e përligj vallë vepra voluminoze “Një dosje për Kadarenë” e dr.Shaban Sinanit, atë ankth e kureshti të mistershme, të paralajmëruar prej një viti e gjysmë? A e ka mbajtur vallë premtimin drejtori i arkivave për të zbuluar spiunimet e salierizmat e shkrimtarëve-spiunë ndaj Kadaresë? Them se jo! Të paktën, jo në atë masë sa u premtua. Dhe për këtë zhgënjimi bie mbi vetë drejtorin e Arkivave. Mbi vetë metodën e shfrytëzimit të dokumentacionit. Sepse të mbetet gjithnjë në mendje një dyshim: Drejtori i Arkivave ose nuk ka patur dokumente të mjaftueshëm (na ka servirur gjithsej 37, prej të cilëve vetëm një e treta ka lidhje direkte me komplotet ose sulmet e drejtpërdrejta mbi Kadarenë), ose nuk e ka patur kurajon t’u kundërvihej konjukturave reale që kanë ndikim ende sot e gjithë ditën mbi shoqërinë e sotme dhe shkallën kompromentuese të dokumenteve ndaj personave të veshur me pushtet politik ose financiar. Kemi vërtet dyshime të mëdha se dokumentacioni është shfrytëzuar njëanshëm, retushueshëm, më shumë për të zbutur e fshehur, se sa për të shpërfaqur “dramën e vërtetë Kadare”. Aq më e hidhur kjo, kur autori i librit ishte një njeri që e kishte “edhe gurin edhe arrën” në dorë. Në kushtet e mosdashjes demonstrative, deri në plase të hapjes së dosjeve, ndërgjegjen tonë asgjë nuk e qetëson në lidhje me të vërtetën. As ky libër, që më shumë fsheh se sa krijon një pamje të së vërtetës. Dhe e Vërteta, ose do dhënë tërësisht, organikisht, e gjitha e pandarë, ose të hiqet dorë kur nuk ia kanë takatin asaj. Lexuesi duhet ta vërejë me shumë vëmendje, se si autori, alias drejtori i Arkivave Shtetërore, edhe në dokumentet koprace që ka lejuar të botohen, nxiton menjëherë të shuaj çdo “keqinterpretim” të lexuesit, për fakte që kanë të bëjnë me figura konkrete publike, si p.sh., kur fjala bie për Dritëro Agollin, apo ndonjë tjetër. Pse kërkon doemos autori të na afrojë “shpjegimet” e veta, kinse dialektike në lidhje me “ia kërkonte detyra”, “për efekt të pozitës” etj., kur dihet se kur shtrohet çështja midis jetës dhe vdekjes së sivëllait shkrimtar, nuk duhen patur dy fytyra?

Megjithë vërejtjet që kam personalisht mbi procedimin që ka patur autori i librit ndaj mundësisë së dokumentacionit, u gjenda përpara një fakti që krijon, ndoshta një hapësirë mediative, krejt të papremtuar një vit e gjysmë më parë. Libri, vërtet nuk ofron një rrebesh sulmesh e spiunimesh nga ish-kolegët, siç pritej e siç mund të jenë shmangur në libër, për arsye që unë s’mund t’i marr me mend.

Dimensioni tragjik që përftohet gjatë ballafaqimit me dokumentet e përfshira në libër, ka të bëjë me atë lukuni të sofistikuar censorësh nga të gjitha sferat e administratës politike, majës së piramidës udhëheqëse, e sidomos Komiteteve të Partisë dhe Lidhjes së Shkrimtarëve. Nën dhëmbëzat e këtyre ingranazheve, na përftohet mjaftueshmërisht qartë labirinti i pashpresë i fatit individual të autorit dhe i fatit të veprës së vet. Dokumentet e ofruar në libër e ndriçojnë më së miri këtë makth të ekzistencës së dyfishtë: si njeri dhe si krijues. Prandaj të gjykosh veprat e Kadaresë, jashtë këtij konteksti, është një mëkat. Kështu, nën ndikimin e letrave anonime apo të hapura, nën ndikimin e kritikave dhe paralajmërimeve, kemi pak a shumë të qartë endjen e përjetshme të veprës nga njëra dorë në tjetrën, ku secili censor rrjep diçka, heq, fshin, vë pikëpyetje, shuan paragrafë të tërë, gjerkur nuk ka mbërritur një i dytë, i tretë, i katërt, që nuk janë dakord me skena, rreshta, togfjalësha, metafora të tëra, etj., pa fund. Në këtë maratonë “futje duarsh” të lloj-llojshme në vepër, nëpër këtë perversion ideologjik, duhet të kalonte vepra deri në shtëpinë botuese. Dhe aty nis një rreth tjetër përndjekjesh, ndërhyn gruaja e diktatorit dhe paracakton pikat e tabuve me “të mos...”, “nuk”, “të hiqet” etj. Duke e gjykuar artin e Kadaresë të shkruar në kushtet e një kasnecërie të kobit dhe gjëmës, habitesh e shkundesh nga rrënqethja se si ka mundur të mbijetojë, të paktën në atë kuptim që është, një i pakthyeshëm: si ka mundur të shpëtojë jetën individuale!

Të shkruash në liri, të projektosh idealet e tua artistike e estetike sot, është një gjë pakrahasimisht tjetër nga ajo kohë, kur vepra, potencialisht ishte për autorin një Sarkofag në miniaturë, kapaku i ngritur i të cilit mund të mbyllej me një shtytje të pabesë, duke marrë peng prore dhe jetën personale. Prandaj më janë dukur mëse të neveritshme sulmet ndaj Kadaresë, e akoma më të neveritshme sulmet e atyre pinxhove të rinj, që kërkojnë heroizma donkishoteskë (në fakt, kjo është një nevojë infantile e tyre për përralla e legjenda).

Parë nga kjo pikëpamje, libri “Një dosje për Kadarenë”, megjithëse me ato pak dokumente që na serviret, ka një vlerë të pallogaritshme për Kadareologët në kontekstin socioideologjik të krijimit të veprës së tij. Natyrisht që librit nuk i mbaron interesi me kaq. Ajo jep të qartë si funksionon mekanizmi survejues i diktaturës, kontrolli i gjithanshëm i mendjes, talentit dhe vullnetit, pa të cilat zor të ketë vepër të madhe. Kadareja pati mençurinë t’i shpëtojë këtij kontrolli. Dhe, kjo është mençuria e lashtë e së bukurës. Ne, ndoshta, do të kemi rastin më vonë të ndeshemi me fakte “shumë më rrënqethëse” dhe dokumente shumë më të kobshëm, sepse siç thotë dhe vetë Kadareja në një intervistë dhënë gazetës suaj: “Për pjesën tjetër, atë më të errëtën, nuk e di ç’do të bëhet”.

Nexhmije Hoxha, si hoqi paragrafet nga

“Dimri i vetmisë së madhe”

Romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, variant i ripunuar. Vërejtjet janë të daktiloshkruara. Nuk saktësohet kush e ka hartuar dokumentin. Ngjan që vërejtjet të jenë mbajtur shënim nga ndonjë punonjës i aparatit të Komitetit Qendror, ose të jenë nxjerrë nga “redaktimet” e vetë tekstit nga N.Hoxha. Në tekst ka mjaft nënvijëzime të nëpunësve që janë njohur me vërejtjet. Gjithashtu në fl.32 gjendet edhe një shtesë me shkrim dore, që mund të jetë i specialistëve të ish-Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, i atyre të sektorit të edukimit, të kulturës a të ndonjë sektori tjetër. Fakti që dorëshkrimi është lexuar dhe u është nënshtruar kërkesave për redaktim, deri gjuhësor të N.Hoxhës, është një shprehje tjetër e ushtrimit të kontrollit politik mbi letërsinë. Në këtë rast atributet e botuesit i janë marrë botuesit dhe u janë bartur funksionarëve të lartë politikë (shënim i Sh.Sinanit).

Dokumenti nr.18:

”Vërejtje për shprehje që gjenden në roman; ‘shumica do të miratonin’, ‘ç’kish bërë delegacioni’; kryetari i komisionit të revizionimit, ‘Syri i heroinës’, ‘disidentja e Byrosë Politike’, ‘Shqipëria vdiq, ngushëllime’, ‘qelqi në formë syri’, ‘gjysma e Komitetit Qendror dhe e Byrosë’, ‘shkrimtarët, filozofët’, ‘rusizmat’, ‘kundërshtarët e tjerë’, ‘lyer buzët me të kuq e varur vathë’, ‘të rëndë e barbarë’, ‘Ibarruri’, ‘mondanëri komuniste në pritjet qeveritare’, ‘tualet politik’”

Shoqja Nexhmije ka këto mendime, pasi e pa:

1.Figura e shokut Enver duhet të dalë strikt dhe vetëm kur është e domosdoshme.

2. Nuk duhet lejuar që figura e shokut Enver të dalë e shkëputur nga udhëheqja e Partisë, apo mbi udhëheqjen, apo sikur nga lart mendon e vendos vetë ai për popullin.

3.Në gojën e shokut Enver nuk duhen vënë çfarëdo filozofimesh e gjëra me dy kuptime.

Kujdes duhet treguar të mos ketë shtrembërime të vijës e njëanshmëri.

Pjesa e shtuar për shokun Enver mbase në shumicën e saj nuk do pranuar. A ka nevojë të shtohet ajo pjesë? Mbase pjesët për Lirinë (Belishova), Koçon (Tashko) e Maqon (Çomon) nuk duhen.

Shoqja Nexhimije ka edhe këto vërejtje konkrete:

-Do parë titulli i romanit.

-Në fl.282; të hiqet shprehja “për të mirë” dhe përshkrimi “rreth e rrotull jemi”, në gojën e shokut Enver (referencat janë për dorëshkrim).

-Në fl.283: të hiqet shprehja: “Komiteti Qendror do t’ju hidhet në grykë” dhe “profecia”.

-Në fl.284: të hiqen shprehjet: “pleq dinakë” dhe “të pambrojtur”.

-Në fl.285: krahasimi i ftohjes me kthimin e epokës së akullnajave(!)

-Në fl.286: të hiqet paragrafi për ndërlidhjen, sekretin.

-Në fl.287-288-314: vërejtjet për (shprehje që gjenden në) tërë faqet: “shumica do të miratonin”. “ǒkish bërë delegacioni”, “kryetari i komisionit të revizionimit”, “Syri i heroinës”, “Shqipëria vdiq, ngushëllime”, “qelqi në formë syri”, “gjysma e Komitetit Qendror dhe e Byrosë”, “shkrimtarët, filozofët”, “rusizmat”, “kundërshtarët e tjerë”, “lyer buzët me të kuq e varur vathë”, “të rëndë e barabarë”, “Ibarruri”.

-Në fl.315: vërejtjet për shprehjet: “mondanëri komuniste në pritjet qeveritare”, “tualet politik”. Të hiqet pjesa për “vajzën ilegale të veshur si zonjushë mondane”.

-Në fl.316: vërejtjet për shprehjet: “disidentja e Byrosë Politike” dhe “sandviçët”.

-Në fl.317: vërejtjet për shprehjet: “mbi nënën nuk hidhet balët”, “anëtarja e Byrosë politike”, si dhe shprehjet “kërcënues”, “i panatyrshëm”, “kësaj vajze”

-Në fl.318, 319-320: vërejtjet për gjithë faqet, për shprehjet: “anëtarja e byrosë që kish në brigadë”, “si një borgjeze”, “ringazhinga”, “grupi kundërshtar”, “profecia e kundërshtarëve”, “Partia nuk do të jetë dakord me Komitetin Qëndror”, “grupi i disidentëve”, “as himn, as lule s’presim më”, “këngë vajtimi” (për këngën ‘Dalëngadalë po vjen behari’), si dhe pjesa për Maqo Çomon.

-Në fl.467: vërejtjet për shprehjet: “ikje e papritur, pa muzikë, pa flamur”, “ejani për gjah”.

-Në fl.468, 490-492: vërejtjet për shprehjet e përdorura për burokratizmin dhe gradat, në të gjithë faqet, si dhe për shprehjet: “bizhuteri e tërë mbretërore”, “stuhi yjesh”.

-Në fl.498, gjithë faqja: përshkrimi i hallë Xhemos që del për borxhe dhe përmendja e shokut Enver që do të dalë për borxhe e kredi në shtete të ndryshme të Evropës.

-Në fl.679: djegia e Kremlinit dhe Bjeshkët e Nemura, mbase mund të mbeten në imagjinatën e ndonjë malësori plak.

-Në fl.681: vërejtje për shprehjet “sarkofagu” dhe “foklori”.

-Në fl.682: vërejtjet për tërë faqen-poezia “Iku motër e vogël”, balsamimi, shprehja “shaheshin si gratë”, poezia për sallën “Gieorgievskaja”

-Në fl.682: vërejtje për shprehjet: “sy i kuq, sy jeshil”, “për t’u marrosur në thellësitë e kombit ngjarja kapërcente sferën e marrëdhënieve të të gjtihë shteteve”, “Kremlini-shtëpi shtrigë”.

-Në fl.684 vërejtjet për tërë faqen: “Shqipërisë i kishte ndodhur diçka, por ishte e vështirë të thoshje nëse ishte e mirë apo e keqe”, “provincë fantazmë”, “antimaterie”, “Siberia”.

-Në fl.685: vërejtje për shprehjen “për sfidimin e BRSS Shqipëria kish filluar të përgatitej qindra e mijëra vjet më parë”. Ky krahasim mund të bëhet për pavarësinë dhe jo për marksizëm-leninizmin e socializmin. Të hiqet fraza “përgatitja e udhëheqësit”.

Për pjesën për burokratizimin ka shumë vërejtje për të tërën.

AQSH, Fondi 14/AP, Dosja 552, Viti 1967 fl.31-32

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›