Malaj: Tri arsye pse duhet të thyejmë bojkotin
Deputeti socialist
Deputeti socialist, Arben Malaj, shtron tri arsyet përse grupi parlamentar socialist duhet të hyjë në Kuvend. Në kushtet e përmbytjeve në veri, një situatë e pazakontë dhe e paparashikuar, deputeti i PS-së vëren se është një arsye e fortë që të bindë grupin socialist të thyejë bojkotin, por jo e vetmja. Sipas tij, nuk duhet harruar procesi integrues i vendit, po aq sa edhe vështirësitë që na presin në vitin 2010, për të cilat opozita duhet të japë kontributin e vet. “Kthimi në Parlament për shkak të përmbytjeve në veri është një arsye, por jo e vetmja. Mos të harrojmë procesin integrues të vendit në një kohë kur po kërkohet zgjidhje për hir të tij, po aq se edhe vështirësitë që priten të kalohen këtë vit. Viti 2010 nuk është i lehtë, ndaj opozita duhet të ushtrojë kontroll karshi qeverisë, por ama një bojkot i ri nuk i shërben për mirë”, tha Malaj në prononcimin për “Shqip”.
Dy ditë më parë, edhe një tjetër deputet socialist, Marko Bello, u shpreh se situata e krijuar në veri është një rast dhe arsye e fortë që opozita të hyjë në Kuvend. “Besoj se po, ky është një rast që Partia Socialiste të rishikojë vendimin e saj për t’u kthyer në Parlament, e të kërkojë llogari e sqarime në lidhje me këtë situatë. Ka mundësi të ndikojë me nisma ligjore që ndihmojnë banorët e zonave. Me rëndësi mbetet që të kalojë sa më parë kjo situatë, duke u bërë vlerësimi i dëmeve e më pas dëmshpërblimi”, tha Bello. Brenda selisë rozë, gjatë këtyre ditëve janë rikthyer debatet për të rishikuar vendimin e bojkotit, pikërisht për shkak të situatës së përmbytjeve në Qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës.
#