“Statusi në BE? S'ka datë për Shqipërinë”
Komisioneri për politikën e zgjerimit, Fule: Presim përgjigjet e pyetësorit
Komisioneri i propozuar për politikën e zgjerimit dhe fqinjësisë në Kolegjin e ri të Komisionit Europian, Shtefan Fule, nuk jep asnjë datë për dhënien e statusit kandidat ndaj Shqipërisë. I pyetur nga “Top Channel” pas seancës dëgjimore në Parlamentin Europian në Bruksel, ai theksoi se gjithçka varet nga përgjigjet e Tiranës ndaj pyetësorit. “Mendoj se ajo që presim ne tani janë përgjigjet ndaj pyetësorit tonë dhe pasi t’i kemi marrë ato, atëherë do të na duhet t’i vlerësojmë. Dhe vetëm pas këtij vlerësimi unë do të jem i aftë t’ju jap një ide më të qartë”, u shpreh Fule. I pyetur nëse ekziston një datë e konsideruar si e mundshme, ai u përgjigj prerazi: “Jo, asnjë datë në këtë moment”.
çeku Shtefan Fule u përball me eurodeputetët e Komitetit të Jashtëm për të mbrojtur postin për të cilin është zgjedhur. I ardhur nga një vend anëtar i ri, me një karrierë të gjatë në diplomaci, Fule theksoi që në fillim se vendet që aspirojnë anëtarësimin duhet ta meritojnë atë dhe se nuk do të ketë shkurtim të rrugës drejt BE-së pa plotësuar të gjitha kushtet. Gjatë debatit me eurodeputetët, 48-vjeçari nga Sokolovi i çekisë vlerësoi si një hap madhor liberalizimin e vizave me Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, ndërsa për Shqipërinë dhe Bosnjën, Fule përcaktoi mesin e vitit 2010 si datë për rekomandimin e komisionit, që do të thotë se skenari më i mirë për heqjen e vizave mbetet fundi i këtij viti.
“Unë do të punoj shumë fort për dy vendet që mbeten pas, Shqipërinë dhe Bosnjën, por sigurisht kjo do të varet shumë prej tyre, që të mund të rekomandoj në mes të këtij viti të përfshihen dhe ato në këtë listë. Jam i vendosur po ashtu që të nis një dialog të strukturuar me Kosovën për një afrim ndaj një perspektive me terma afatgjatë për liberalizimin e vizave”, tha Fule. Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor (ish-Jugosllavia dhe Shqipëria), sipas Fules mund të shpresojnë për një anëtarësim të mëvonshëm në BE. “Besoj se ne e pranojmë të gjithë se vendet e Ballkanit Perëndimor mbajnë mbi vete një barrë të rëndë historike dhe politike. Prandaj ne duhet t’u ndihmojmë atyre, me sa të mundemi dhe të shfrytëzojmë të gjitha mjetet, që ata të vazhdojnë reformat e domosdoshme.
Dhe ne duhet të garantojmë se nuk lëmë jashtë në shi asnjë vend të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Fule. Ndërsa eurodeputetët që mbulojnë shtetet e tjera të rajonit shtruan pyetje ndaj komisionerit të përcaktuar se si e sheh ai të ardhmen e këtyre vendeve në këto 5 vitet e ardhshme, raportuesi për Shqipërinë, Nikolaos Huntis, i cili e mbylli vitin 2009 pa bërë asnjë pyetje për Shqipërinë në mbledhjet e këtij niveli, edhe në seancën e djeshme dëgjimore preferoi të pyeste vetëm për Islandën. Dëgjimi i 26 komisionerëve të përcaktuar për kolegjin e ri zgjat deri më 19 janar. Nëse të gjithë kalojnë me sukses provimin, Parlamenti Europian do t’i votojë si një trup i vetëm në seancën plenare të 26 janarit, datë pas së cilës Kolegji i ri nën drejtimin e Hoze Manuel Barrozos nis mandatin 5-vjeçar.
#