Malaj bezdiset nga investimet e shumta në infrastrukturë
Kërkon ndërprerjen e fushatë zgjedhore nga ana e PD-së
TIRANE - Partia Socialiste ka kërkuar dje më mënyrë të çuditshme ndërprerjen e fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike me pretekstin e shpenzimeve elektorale. Ndonëse inaugurimet e shumta anekënd vendit janë dëshmi e mirë administrimit të fondeve publike dhe shtimit të ndjeshëm të investimeve në infrastrukturë, për deputetin socialist Arben Malaj “Ministri i Financave dhe Kryeministri duhet të ndalin fushatën, të njohin më mirë gjendjen e rëndë të buxhetit, të kufizojnë shpenzimet abuzive elektorale, të përgatitin paketën antikrizë, e cila në thelb duhet të lehtësojë biznesin dhe konsumatorin shqiptar”.
“Ditët e fundit administrata tatimore, në mënyrë anti-ligjore dhe abuzive ka rritur me disa herë rivlerësimet tatimore. Tani asnjë nuk dyshon më se ekonomia jonë është në një risk të madh për shkak të rënies së ritmeve të rritjes së saj. Mazhoranca duhet të marrë të gjitha masat që reduktojnë riskun psikologjik mbi investitorët dhe konsumatorët në ekonominë shqiptare. Ky risk po rritet ndjeshëm nga agresiviteti dhe brutaliteti i saj në këtë fushatë”, deklaroi Malaj.