NATO-n nuk na e falën, por atë e fituam
PR mban simpoziumin e saj nën moton “Sot NATO….nesër BE”
TIRANE - Partia Republikane zhvilloi dje në ambientet e Hotel Tirana, një simpozium nën moton “Sot NATO....nesër BE”. Të ftuarit special në këtë simpozium, ishin dy personalitete tepër të spikatura të fushës së politikës në SHBA dhe Maqedoni e konkretisht Gordon England, ish-zëvendëssekretari Amerikan i Mbrojtjes, si dhe Lazar Elenovski ish-ministri i Mbrojtjes së shtetit Maqedonas, të cilët e kanë përshëndetur këtë simpozium duke dhënë vlerësimet maksimale për arritjet e deritanishme që ka pësuar Shqipëria falë punës së bërë. Në fjalën e tij ish-zëvendëssekretari Amerikan, England tha se “është kënaqësi për mua të jem sërish në Shqipëri dhe ftesën e bërë nga kreu republikan, Fatmir Mediu, e prita me shumë kënaqësi”.
“Mbaj mend se kur njoha Mediun në vitin 2005, kohë kjo kur ai ishte Ministër i Mbrojtjes, pashë tek ai jo vetëm një njeri që punonte me këmbëngulje të madhe, në mënyrë që të realizonte objektivat që kërkoheshin nga ndërkombëtarët për ta bërë Shqipërinë vend anëtarë me të drejta të plota në NATO, por edhe një njeri të mrekullueshëm i cili kishte vlera të jashtëzakonshme. Të gjithë e dimë se të jesh një vend anëtar i kësaj aleance nuk është aspak e lehtë, por unë mendoj se Mediu e realizoi më së miri, ëndrrën e madhe që ju kishit duke zbatuar me rigorozitet të gjitha reformat e kërkuara, ndaj unë them se një pjesë e madhe e kësaj merite i takon atij dhe punës këmbëngulëse të tij”, tha England.
Ndërkohë nga ana tjetër, ish- Ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, Lazar Elenovski, tha “Unë mendoj se puna e Fatmir Mediut vlen për t’u admiruar dhe mendoj se këtë shembull duhet të ndjekin të gjitha vendet e tjera të cilat nuk e kanë realizuar ende ëndrrën e tyre për të qenë anëtarë me të drejta të plota në NATO. Sipas meje, Mediu ka qenë vizioni i Shqipërisë, në rrugën drejt integrimit të vendit tuaj në Aleancën më të madhe, atë të Atlantikut të Veriut. Unë dua që ashtu sikurse Shqipëria, këtë NATO ta marrë edhe Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, etj. Reformat tuaja ishin të jashtëzakonshme dhe jam i mendimit se me këto ritme që ju po ecni shumë shpejt Shqipëria do të kaloj edhe pragun e anëtarësimit për në BE”.
Më tej fjalën e ka marrë kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili pasi i ka falënderuar për pranimin e ftesës dhe fjalët e ngrohta që shprehën dy miqtë e tij, nënvizoi faktin “NATO-n nuk na e falën, por atë e fituam me përpjekje tona të vazhdueshme, sakrifica, luftë, reforma të ndërmarra. Unë kujtoj vitin 2005 kur ne kërkonim të hynim në NATO, dhe shumë tregoheshin skeptikë, ndërsa sot, jemi duke ndërtuar partneritete afatgjata me vendet anëtare të kësaj Aleance”.