Malaj dhe Harasani thyejnë bojkotin, marrin pjesë në komision
Zëri ndryshe i opozitës thyen më në fund bojkotin kuvendor, duke marrë pjesë në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Të njohur si përkrahës së Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, deputetët Arben Malaj dhe Andis Harasani kanë thyer një vendim të mëparshëm të Grupit Parlamentar të PS, për të bojkotuar mbledhjet e komisioneve parlamentare. Në këtë mënyrë ka vepruar edhe deputeti, Qemal Minxhozi, i cili ka ndjekur dje punimet në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit. Ndërkohë, Malaj dhe Harasani debatuan ashpër, duke kundërshtuar me argumentet e tyre aktin normativ, dje në komisionin e ekonomisë, akt i cili lejon Ministrinë e Bujqësisë të zhvillojë procedurën e Prokurimit me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit për zonat e përmbytura në veri të vendit. Janë 1.226 miliardë lekë, të cilat do të shkojnë për rehabilitimin, rikonstruksionin dhe ndërtimin e objekteve të mbrojtjes nga përmbytja dhe kullimi në zonat e përmbytura. Pjesë e projektit është thellimi i Bunës dhe projekte të tjera emergjente. Financimi i projektit prej 1.226 miliardë lekësh do të kryhet me procedurën e prokurimit me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit, duke iu referuar ligjit “Për prokurimin publik” të ndryshuar neni 33. Akti Normativ në fjalë, që lejon Ministrinë e Bujqësisë të merret me këtë procedurë, u miratua dje në Komisionin e Ekonomisë vetëm me votat e maxhorancës, ndërsa opozita, e cila theu heshtjen parlamentare përmes deputetëve, Arben Malaj dhe Andis Harasani, abstenuan në lidhje me këtë akt normativ. Ata argumentuan zërin kundër, me mungesën e një projekti të studiuar mirë dhe në tërësi. “Janë shumë të nevojshme, por nuk kanë pse të zbatohen në këtë mënyrë. Është momenti i duhur, ku opozita duhet të marrë pjesë. Nëqoftëse si pozitë keni treguar që nuk keni respektuar opozitën, ne kemi ardhur të bëjmë opozitën. Zgjidhja për zonën e Shkodrës nuk duhet me projekte pjesore, por me një plan tërësor të menduar mirë. Hedhim 5 lekë këtu, 10 atje dhe nuk zgjidhim asgjë. Është i njëjti gabim i vjetshëm dhe i 20 viteve me radhë” - u shpreh deputeti socialist, Andis Harasani. Duke vijuar të njëjtën logjikë, deputeti Arben Malaj theksoi se për veriun e vendit duhet të kishte një plan total. “Ky akt normativ mund ta bëjë më të vështirë buxhetin e shtetit. Ju punoni me buxhet afatmesëm. Duhen studime të thelluara. Kjo është pjesë e buxhetit. Unë nuk jam dakord. Kostot e përmbytjeve nuk përballohen nga buxheti. Arrnat sporadike nuk vlejnë. Thellimi i Bunës nga një shifër emergjence e padeklaruar nga Ministria e Bujqësisë, e thënë vetëm nga kryeministri në Shkodër, nuk është me vend ”- u shpreh Malaj. Gjithashtu, ai vërejti se fatkeqësitë natyrore sa vijnë e shtohen. Sipas tij, është rritur risku që paratë e taksapaguesve t’i marrë lumi. “Duhet një procedurë e përshpejtuar për zgjidhje totale. 1 mld jo për ndërhyrje spontane, por për projekte afatmesëm dhe afatgjatë”, - argumentoi Malaj. Ndërsa përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë, në Komisionin e Ekonomisë, sqaroi se me procedurë normale tenderimi nuk do të ishte e mundur që investimi të mbyllej brenda tetorit. Sipas tij, duhen 6-8 muaj të përfundojë studimi tërësor. Me aktin normativ pritet të ndërhyhet duke rikonstruktuar plotësisht argjinaturën e Casit me gjatësi rreth 1 km, do të bëhet mbrojtja nga lumi Drin në Ashtë, rikonstruksioni i argjinaturës së lumit Kir, rehabilitim / rikonstruksion i argjinaturave në lumin Buna 32 km, argjinatura Shirq-Belaj 13,2 km, etj. Pritet që investimi të përfundojë në muajin tetor. Reshjet e shumta në veri të vendit, sidomos në zonën e mbi Shkodrës, shkaktuan përmbytje të mëdha në ato zona, duke bërë që toka të mbesin djerrë dhe shumë dëme të tjera materiale në objekte e bagëti.