E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga “policit”, transportonte kafe kontrabandë

ELBASAN- Me falsifikimin e një dokumenti policie, një 26-vjeçar nga qyteti i Beratit mendonte se mund t’i hapeshin rrugët, madje nuk mund të kontrollohej as nga “kolegët” e tij. Madje Hajri Shehu kishte marrë përsipër të merrej edhe me transportimin e kafesë kontrabandë, për të cilën nuk dispononte dokumente. Por gjatë një kontrolli nga policët, ai është arrestuar. Kështu dy ditë më parë nga ana e Seksionit Krimet Ekonomiko-Financiar, është bërë arrestimi në flagrancë i Hajri Shehut, 26 vjeç lindur dhe banues ne Berat.Arrestimi i tij u bë pasi, në aksin rrugor Elbasan-Peqin, shërbimet e policisë së Komisariatit Peqin, pasi kanë diktuar në një largësi mjetin tip Audi, me targa BR 5133A, me drejtues 26-vjeçarin, i cili po shkonte në drejtim të Peqinit, kanë bërë të mundur ndalimin e tij. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, pasi kanë ndaluar mjetin, i kanë kërkuar drejtuesit të mjetit, Hajri Shehu, dokumentimin e identifikimit, ku ky i fundit dispononte një dokument policie dhe është prezantuar si punonjës i policisë së burgjeve. Nga verifikimet e bëra, në një hark kohor të shkurtër, rezultoi se dokumenti i policisë që ai dispononte ishte i falsifikuar, të cilin e kishin siguruar ne mënyrë të paligjshme. Gjithashtu nga verifikimet e bëra, rezultoi se targat e mjetit BR 5133 A, ishin te vjedhura dhe nuk i përkisnin mjetit tip Audi. Sipas burimeve nga policia lokale mësohet se nga kontrolli i ushtruar mjetit tip Audi, është gjetur dhe sekuestruar ne cilësinë e provës materiale 100 (njëqind) kg kafe, e cila nuk dispononte asnjë faturë tatimore dhe që kishte si destinacion tregun e Beratit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›