Mungojnë aparaturat, dështon transplanti i veshkave në QSUT
Vijojnë problemet me transplantin e veshkave në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet. Ndonëse realizimi i transplantit të veshkave edhe në shtet, u cilësua nga autoritetet shëndetësore si një arritje e madhe për shëndetësinë, pasi do t’i vinte në ndihmë me një kosto më të ulët mjaft pacientëve që kanë probleme me veshkat, ende në QSUT ky shërbim nuk po kryhet në efikasitet të plotë. Mungesa e disa aparaturave në sallën e transplantit të veshkave në QSUT i ka detyruar autoritetet e shëndetësisë që t’i kryejnë ato në ambientet e spitaleve private në Tiranë apo t’i drejtojnë pacientët edhe më larg, për në ambientet e spitaleve europiane. Shefi i Nefrologjise në QSUT, Nestor Tereska, shprehet se salla e operacionit është e kushteve më moderne, por mungesa e aparaturave i ka detyruar mjekët shqiptarë t’i kryejnë ndërhyrjet e pacientëve të tyre jashtë dyerve të QSUT. “Të sëmurët i kemi ndjekur qoftë para transplantit, qoftë mbrapa transplantit. Unë personalisht nuk e quaj zgjidhje të plotë duke u bërë në spitalet private ose në Europë. Presin blerjen e disa aparaturave me kosto të vogël. Defekte burokratike janë këto. Është përgjegjësia jonë, e të gjithëve”, - thotë Nestor Tereska. Përveç mungesës së aparaturave, një shqetësim tjetër që ngrenë bluzat e bardha është dhe anomalia që krijohet me listat e pritjes së pacientëve. Lidhur me këtë problem, shefi i Nefrologjisë thotë se duhet të ketë rregulla më të rrepta në përgatitjen e saj. “Të kemi një listë pritjeje jashtëzakonisht të saktë. Çfarë ndodh? Në listën e pritjes, njëri shkon në Greqi, nuk lajmërohemi; njëri shkon në Itali, nuk lajmërohemi. Kjo na sjell një farë anomalie në listën tonë të pritjes”, - thotë Tereska. Gjatë vitit 2010 nga mjekët e QSUT-së u realizuan 12 transplante, ndërkohë që gjendja shëndetësore e pacientëve është e mirë. Për 2011-n pritet të realizohen rreth 8 të tilla, ndërkohë që i pari për këtë vit është realizuar dy ditë më parë. Çdo vit në vendin tonë kërkohen afërsisht 10 transplante të veshkës, ndërkohë që 180 pacientë të sëmurë me veshka trajtohen me dializë në spitalin “Nënë Tereza”. Sipas mjekëve neurologë, vitet e fundit numri i pacientëve që vuajnë nga stade të ndryshme të sëmundjeve që prekin veshkat ka pësuar rritje në përmasa shqetësuese. Pjesa më e madhe e pacientëve arrijnë ta evidentojnë sëmundjen në stade tepër të avancuara, kohë në të cilën edhe trajtimi nuk jep efikasitetin e duhur. Sipas shifrave të raportuara, rezulton se 1 në 10 shqiptarë vuan nga problemet e veshkave. Sipas mjekëve, shkak për këtë situatë problematike mbetet mungesa e diagnostikimit të hershëm. Konkretisht, raportohet se në vendin tonë çdo vit zbulohen rreth 350 raste të reja të pacientëve që kanë nevojë për shërbimin e dializës. Ndërkohë që po kaq e lartë mbetet edhe shifra e atyre që përballen me pasoja fatale për jetën si pasojë e përkeqësimit të funksionit të veshkës. Mjekët deklarojnë se mbi 80 për qind e rasteve diagnostikohen në stade shumë të rënduara të sëmundjes. Përkundrejt kërkesave të shumta, vetëm një pjesë e vogël e pacientëve kanë arritur të përfitojnë nga shërbimi i dializës. Kjo për shkak të kapaciteteve të ulëta për trajtimin e fluksit të kërkesave në këtë shërbim që ofrohet i rimbursuar.