E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj, grup mbështetësish brenda Partisë Socialiste

Arben Malaj pritet të zyrtarizojë sot tërheqjen nga gara për
postin e kreut të Partisë Socialiste, në një konferencë për shtyp i shoqëruar nga grupi që e mbështet brenda në parti. Edhe pse i tërhequr nga gara zgjedhore brenda partisë, Malaj duket se vijon të ketë mbështetjen për kandidaturën e tij, mes të cilëve është anëtari i Kryesisë, Ben Blushi, i cili e ka deklaruar hapur votën pro Arben Malaj. Mbështetësit e Malaj janë po ata anëtarë kryesie, anëtarë të asamblesë apo deputetë socialistë që mbështetën paketën e ndryshimeve në statut të propozuar nga Ben Blushi. Ndërkaq, tanimë në statutin e një ish-kandidati, Malaj reagoi menjëherë pasi kreu socialist, Edi Rama, deklaroi se nuk ishte në dijeni të dorëheqjes së tij nga gara. Malaj tha se "ia kishte komunikuar në sy Ramës tërheqjen që dje pas fjalës që kryetari në detyrë mbajti në kongres". Në argumentin e lënies së garës, Malaj tha se nuk mund të vazhdonte në një frymë armiqësie të nxitur nga fjala e Ramës në Kongres, duke njoftuar se sot do të ketë një konferencë shtypi bashkë me mbështetësit e tij në Partinë Socialiste për të dhënë të gjitha argumentet për largimin nga gara dhe për situatën pas kongresit të jashtëzakonshëm.
Fjalimi i kreut socialist, mbajtur në kongres, duket se e ka bindur Arben Malajn të tërhiqet nga gara shumë pak minuta pasi mbaroi mbledhja. Fjalimi ka lënë një shije jo të mirë te kandidatët rivalë, që mendojnë se "Rama i trajton konkurrentët si armiq politikë". Një tjetër arsye mendohet se ka të bëjë me faktin se gjatë gjithë fjalimit të tij, Rama nuk mori përsipër asnjë përgjegjësi, për faktin se partia dhe socialistët ndodhen sërish në opozitë edhe për një tjetër katërvjeçar. Në prezantimin e platformës si kandidat për kryetar partie, Malaj tha se të preferuarit individualë nuk mund të bëjnë karrierë të përshpejtuar në bazë të preferencave të udhëheqësve tanë në kurriz të socialistëve që kanë vite që përkushtohen. Sipas tij, dera e PS-së do të jetë e hapur për të gjithë të rinjtë që kanë ambicie, dritaret duhet të mbyllen për të paaftët që e konsiderojnë PS-në si trampolinë të përfitimeve abuzive. Ai theksoi se shqiptarët kanë nevojë për një ekzekutiv që mirëqeveris dhe jo për një qeveri që komandohet nga interesa klanore. "Bindja ime e patundur është se shqiptarët nuk meritojnë të qeverisen më nga Berisha, por nga një qeveri që mirëqeveris. Këtë lloj qeverisjeje duhet ta ofrojnë socialistët. Ne duam një qeveri të përgjegjshme dhe jo të mashtrimeve, një qeveri që orientohet sipas interesave të qytetarëve dhe jo të një familjeje që ka kapur shtetin tonë", tha Malaj. Ai vuri në dukje se kandidon vetëm nëse do të ketë një proces të garantuar dhe një konkurrim midis kolegëve e jo midis kundërshtarëve dhe askush nuk keqpërdor pushtetin partiak dhe administrativ. "Unë besoj te vlerat socialiste, te shpirti socialist, besoj te ju se të bashkuar do ta mundim Sali Berishën", u shpreh Malaj. Ai shtoi se "disa nga ne pretendojnë se zgjedhjet na i vodhën. Disa pretendojnë se zgjedhjet nuk u fituan. Ndërsa të tjerë mendojnë se zgjedhjet u humbën". Ai dha si përgjigje se "ne jemi në opozitë dhe nga ky pozicion ju ftoj të reflektojmë për t‘u kthyer sa më shpejt të jetë e mundur në lokomotivën e politikës dhe shoqërisë shqiptare. Në PSSH nuk do ketë kurrë të ndëshkuar, ky është modeli i ri që ju ofroj". Malaj kërkoi bashkimin e së majtës, duke thënë se "ne na duhet bashkimi i të gjitha forcave të majta, mbështetur në vlera dhe parimet e socialistëve europianë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›