E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nuk jam në dijeni të tërheqjes së Arben Malajt

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje se nuk është në dijeni të tërheqjes nga gara të një prej kandidatëve, Arben Malaj. I pyetur nga gazetarët se si e komenton tërheqjen e një prej konkurrentëve të tij nga gara zgjedhore e 26 shtatorit, Rama tha se nuk është në dijeni të tërheqjes, por shprehu keqardhjen nëse është e vërtetë. "Nuk kam dijeni për tërheqjen e Malajt. Nëse është e vërtetë, do më vinte keq. Ky proces është i rëndësishëm. Është një proces i rëndësishëm për të diskutuar dhe shkëmbyer me anëtarësinë e PS-së të gjitha shqetësimet për këtë situatë dramatike ku ndodhet vendi dhe njëkohësisht për të konverguar së bashku falë mundësisë që secili të shprehet në të gjithë larminë e pikëpamjeve dhe qëndrimeve lidhur me këtë situatë", tha Rama. Në këtë mënyrë, gara zgjedhore e PS mbetet me dy kandidatë, me kreun socialist në detyrë, Edi Rama, dhe kandidatin tjetër, Maqo Lakrori. Kështu, do të jenë zgjedhjet e 26 shtatorit ato që do të vendosin se kush do ta drejtojë PS-në në katër vitet e ardhshme. Maqo Lakrori, në prezantimin e platformës së tij premtoi ndryshime në radhët e Partisë Socialiste, si edhe angazhimin e tij për bashkimin e së majtës. "Propozoj ndryshime në reformimin e Partisë Socialiste. Duhet të ndahemi nga kulti i individit, e majta duhet të bashkohet", ka deklaruar Lakrori. Më tej ai ka shtuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë një domosdoshmëri për vendin. Kandidati surprizë në këtë kongres, Maqo Lakrori, premtoi ndryshime në parti, që do të bënin të mundur udhëheqjen kolegjiale. Ndërsa kreu socialist, në një fjalim të gjatë rreth 45 minuta, deklaroi se do të vijojë të ndjekë projektin e tij në katër vitet e ardhshme dhe kjo është arsyeja pse ai do të kandidojë. Sipas Ramës, projekti i tij u votua në zgjedhjet e 28 qershorit, por mazhoranca e Sali Berishës, Ilir Meta dhe Fatos Nano janë shkaktarët e mundjes së PS-së. Rama vlerësoi se zgjedhjet janë cenuar rëndë përmes krimit elektoral. Por rikandidimi sipas tij nuk është më çështje karrigeje, por për atdheun që është në rrezik. Rama falënderoi bashkëpunëtorët e tij në zgjedhje, socialistët që e votuan etj., etj.
"Sali Berisha i grabiti votat e nevojshme për të ricikluar zvarrë-zvarrë dhe në fund fare vetëm e vetëm falë bashkëpunimit me Ilir Metën e mori pushtetin e tij të korruptuar e korruptues. Ne, Partia Socialiste e Shqipërisë, e fituam garën me Sali Berishën dhe Partinë Demokratike", u shpreh Rama.
Ai tha se beson që kjo është e vërteta dhe kjo është arsyeja përse ai u kërkon delegatëve të pranojnë kandidaturën e tij për të udhëhequr PS-në. Rama shigjetoi edhe kundërshtarët e tij brenda në parti, duke i akuzuar se më shumë janë marrë me standardet e PS-së, se sa me standardet e zgjedhjeve. Ai bëri të qartë se detyrat e tij nuk lidhen me faktin se do të mbrojë postin e tij, por sepse duhet mbrojtur demokracia e atdheut.

Bojkoti

Rama: Do vendosin strukturat përkatëse

Kreu i selisë rozë, Edi Rama, konfirmoi se çështja e bojkotit të Parlamentit mbetet ende e hapur. Sipas tij, kongresi e la në dorën e strukturave përkatëse kryesinë dhe grupin parlamentar momentin kur do të hyjë në Parlament. "Jo, nuk është thënë në asnjë mënyrë të tillë kjo që ju thoni në Rezolutën e Asamblesë. Përkundrazi, është përcaktuar qartësisht një qëndrim ndaj zgjedhjeve dhe kjo do të thotë që vendimmarrja e PS për marrëdhëniet me këtë Parlament me legjitimitet thellësisht të cunguar është një vendimmarrje që kongresi ia ka lënë institucioneve të tjera të PS-së, duke i konsideruar këto zgjedhje pa legjitimitet dhe duke e konsideruar rezultatin e këtyre zgjedhjeve të papranueshëm", deklaroi Rama. Sipas tij, PS nuk mund të ketë një marrëdhënie normaliteti me Parlamentin, dhe pse për natyrën e kësaj marrëdhënieje e për gjithë procesin e trajtimit të kësaj marrëdhënieje do vendosin institucionet që Kongresi ka miratuar", theksoi Rama, duke shtuar se PS do të kërkojë zgjedhje të parakohshme për të rivendosur legjitimitetin e zgjedhjeve, edhe pse ai nuk dha përgjigje kur u pyet se si mund të arrihet deri tek ato.

Mendimi ndryshe

Nuk ka grupe kundërshtare në PS

Kreu socialist mendon se në Partinë Socialiste nuk ka dhe nuk sheh asnjë grup kundërshtar. Sipas tij, mendimi ndryshe është i përfaqësuar nga kolegë që shprehin pikëpamjet e tyre. "Padyshim PS ka nevojë për të gjithë dhe ka nevojë për kontributet e të gjithëve, sigurisht brenda një sistemi të gjithëpranuar dhe të bashkëpranuar rregullash e prioritetesh", tha ai.
Sa i përket çështjes së falënderimeve në kongres, ku Rama nuk përmendi Blushin apo Malajn, ai tha se ishte një falënderim për të gjithë. "Falënderimi im ishte për të gjithë ata që punuan dhe bënë gjithçka mundën deri më 28 qershor dhe për të gjithë ata që pas 28 qershorit më kanë dërguar dhe dhënë mesazhe të pafundme solidariteti dhe mbështetjeje në një rrugë të përbashkët, kështu që përfshiheshin të dyja periudhat", vërejti duke sqaruar më tej edhe çështjen e falënderimit të pesë ish-themeluesit e LSI-së.
Unë nuk i kam falënderuar përfaqësuesit e LSI-së së opozitarëve, por i kam cituar në një kontekst krejt tjetër, duke bërë të qartë se është koha për të hapur një kapitull bashkëpunimi dhe bashkimi me LSI-në. Por me LSI-në e opozitarëve, jo me LSI-në e tamahqarëve", vërejti Rama.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›