E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Topi të reagojë për zgjedhjet

Në prag të konstituimit të Parlamentit dhe qeverisë së dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, kur kreu i shtetit duhet të thotë fjalën e vet, Partia Socialiste kërkoi ndërhyrjen e tij për procesin e cenuar zgjedhor. Në një komunikim me mediat, fill pas Kongresit të Jashtëzakonshëm ku PS vendosi të mos pranojë zgjedhjet dhe institucionet që dalin prej tyre, kreu në detyrë i kësaj partie i kërkoi Presidentit në funksionin e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë që të njihet me dokumentacionin që disponon PS për zgjedhjet dhe të bëjë detyrën e tij. "Nuk fola për asnjë marrëdhënie të re me Presidentin, por fola për domosdoshmërinë që Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të njihet me këtë dokumentacion dhe të bëjë detyrën e tij. Sepse në këtë operacion kriminal është pushteti dhe këtë operacion kriminal e kanë orkestruar autoritete të larta shtetërore", vërejti Rama. Rama iu rikthye akuzave të një dite më parë për procesin zgjedhor, duke shtruar disa pyetje: "Në cilin vend të botës ndodh që të manipulohen zgjedhjet? Në cilin vend demokratik kjo anashkalohet apo trajtohet si njëra nga çështjet e ditës, madje në aneks të çështjeve të ditës. Në cilin vend demokratik zëdhënësit e opinionit publik nuk e kthejnë këtë në një çështje që është me rëndësi absolute për sigurinë në vend? Çfarë mund të presësh nga një pushtet që bashkëpunon me kriminelë të kyçur burgjeve për të fituar zgjedhjet? Çfarë mund të presësh nga një pushtet që pasi i fiton zgjedhjet me kriminelë të kyçur burgjeve kërkon të qeverisë normalisht katër vjet?", vijoi Rama.
Në konstatimin e tij, nëse nuk e ngre zërin "mund të presësh edhe më keq se kaq". "Mund të presësh vetëm që gjithçka të kthehet në një farsë, ku edhe mjetet e informimit kthehen thjesht dhe vetëm në masha për të ndezur zjarre debatesh fiktive, që nuk kanë të bëjnë fare me atë zjarr që i është vënë procesit zgjedhor dhe që i ka djegur një shans vendit për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme kur Shqipëria ka hyrë në NATO, kur Shqipëria po troket për t‘u futur në BE", nënvizoi Rama, duke iu rikthyer sërish çështjes për të cilën ai ka folur mjaft, demokracinë në rrezik. Referuar raportit me provat që zgjedhjet janë cenuar, sidomos nga bashkëpunimi i qeverisë me kriminelë, kreu i PS tha se ajo që u shfaq dje është një sintezë e një dokumenti të tërë që nuk mund të shfaqej i gjithi, sepse do të merrte gjithë ditën. Ndër të tjera ai foli për pasojat e pas zgjedhjeve të 28 qershorit, që sipas tij po i vuajnë mbështetësit e PS-së. "E dini se sa heqin çdo ditë sipërmarrësit në këtë vend për shkaqe që kanë të bëjnë përsëri me fushatën dhe me procesin zgjedhor? Pasi nuk janë rreshtuar në radhën e atyre që nuk e kanë financuar atë maskaradë zgjedhore? E kështu me radhë. Ky vend nuk është bajraku i Sali Berishës. Ky vend është vendi ku çdo shqiptar ka të drejtë të jetojë lirisht dhe qetësisht, pavarësisht se në çfarë beson dhe pavarësisht për kë voton", vërejti Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›