E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Edi Ramës i shërben përçarjes së të majtës

Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi dje pas akuzave të kreut socialist, Edi Rama në kongres. Zëdhënësi i kësaj partie, Ralf Gjoni, deklaroi se me Ramën, PS-ja është përçarë ndërsa me fjalimin e tij ai konfirmoi se është i papërgjegjshëm. Ndaj sipas tij, ky qëndrim e bind edhe më shumë LSI për vendimin që ka marrë të bashkëpunojë me PD-në. "Gjuha staliniste e Edi Ramës kundër të gjithëve dhe në veçanti kundër LSI-së, na forcon bindjen në drejtësinë e vendimit tonë për të hyrë në koalicion me PD-në. LSI do të punojë fort për të përfaqësuar votën e saj në pushtet, si dhe votën e të gjithë socialistëve që nuk mund t‘i përfaqësojë më Edi Rama", tha ai. Sipas tij, Rama, në vend që t‘u kërkonte falje të gjithëve për dëmet që i ka sjellë Kushtetutës, Kodit Zgjedhor, dhe gjithë procesit demokratik të mbarëvajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme, Edi Rama zgjodhi gjuhën e dëshpërimit, të papërgjegjshmërisë kombëtare dhe të fabrikimit të alibisë së tij personale. "Me gjuhën provokuese të një keqbërësi ordiner ai provoi edhe një herë që e urren të majtën dhe se interesat e të gjithë mbështetësve të Partisë Socialiste ai i sheh vetëm si një trampolinë për të mundësuar realizimin e një pushteti mafioz absolut dhe të një diktature personale pakufi", vërejti Gjoni. Pyetjes rreth bashkëpunimit të kërkuar prej Ramës me pesë anëtarët e LSI-së, Gjoni u përgjigj se "LSI ka struktura zyrtare, ka një kryesi, ka një kryetar i cili është mandatuar nga shumica dërrmuese e konventës së jashtëzakonshme për të negociuar me PD-në, për bashkëqeverisje gjatë katër viteve të ardhshëm dhe për të garantuar suksesin e reformave që do çojnë Shqipërinë më afër Europës". Ndërsa pyetjes se Rama të paktën po kërkon bashkëpunim, Gjoni tha se "pas krimit elektoral të orkestruar prej tij dhe strukturave kriminale nën diktatin e tij, tashmë është tepër vonë për Edi Ramën të kërkojë bashkëpunim me LSI-në. Ai kërkon të shkatërrojë dhe të krijojë kaos, ndërsa ne do të veprojmë në shërbim të interesave të gjera të qytetarëve shqiptarë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›