E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Kutitë në Komisionin e Venecias, zgjidhja e duhur”



Partia Socialiste është e gatshme të pranojë marrëveshjen e ndërkombëtarëve që hetimi i kutive të votimit të kryhet nga Komisioni i Venecias. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e konfirmoi këtë lajm dje gjatë bashkëbisedimit me gazetarët. Ai nënvizoi se PS-ja e pranon menjëherë kompromisin për hapjen e kutive me materialet zgjedhore nëse qeveria është e gatshme dhe nëse ajo garanton transparencë dhe kushtetutshmëri. “Kompromisi është gati, transparenca dhe kushtetutshmëria. Transparencë në funksion të garantimit të zgjedhjeve të ardhshme dhe në asnjë mënyrë për ta marrë pushtetin në tavolinë. Ne e kemi pranuar e jemi të gatshëm në çdo moment që ta zgjidhim përmes vullnetit dhe, pa dyshim, edhe përkushtimit tonë në funksion të transparencës këtë krizë”, - nënvizoi Rama.
Greva
Kreu i PS-së ka bërë të qartë se greva e urisë dhe protestat e opozitës nuk do të ndalen, pasi ato nuk bëhen për interesa partiake, por për interesa kombëtare. “I neverit që të gjithë ata që janë bërë pjesë e kësaj marrëzie qeveritare, të transformuar në një propagandë kundër opozitës. Por u them se e kanë të kotë. Ne nuk zmbrapsemi, nuk lodhemi dhe nuk ndalemi, sepse nuk po kërkojmë interesin e njërës palë, por interesin që të gjitha palët të bashkëjetojnë”, - u shpreh Rama. Ai ka shprehur keqardhjen e tij për mungesën e reagimit të qeverisë ndaj një problemi të tillë të ngritur nga opozita, që ka të bëjë me funksionalizimin e demokracisë në vend. “Ndjeva keqardhje për shurdhërinë, verbërinë, për qasjen e tij ndaj një problemi që është një problem kombëtar transparence, jo në funksion të një lufte për pushtet, por për demokratizim dhe emancipim. Për çlirimin e zgjedhjeve nga kthetrat e atij korrupsioni që nuk e lë popullin të qeveriset nga ata që zgjedhin”, - tha Rama. Në këtë kuadër, ai i është përgjigjur edhe kërkesës së kryeministrit Sali Berisha për lejimin e ekipeve mjekësore. “Kryeministri po trajton me cinizëm grevën që po transmetohet në sytë e të gjitha mediave, të varura dhe të pavarura. Kjo grevë po ndiqet nga një grup mjekësh të nderuar e të respektuar. Nëse qeveria do të bëjë inspektime, ajo le t’i bëjë, askush nuk e pengon. Por, në këtë deklaratë të Berishës, unë shoh diçka të neveritshme, që ka të bëjë me një dëshirë të fshehur që në atë çadër të ndodhë diçka e keqe, që të ndikojë te protesta e opozitës”, - u shpreh Rama.
Kriza ekonomike
Duke iu referuar deklaratës së kryeministrit Sali Berisha për rritje ekonomike, Rama tha se qeveria ka 150 miliardë lekë borxh. Ai nënvizoi se nuk mund të rriten të ardhurat e shtetit duke gjobitur bizneset. Sipas Ramës, kreditimi nuk është rritur, ndërsa sot ka rënie të fuqisë blerëse. Kreu i PS-së deklaroi se 100 mijë vende pune janë mbyllur. Më pas, Rama, iu referua edhe shitjes së hotel "Dajtit" nga qeveria Bankës së Shqipërisë. Ai theksoi se Banka e Shqipërisë nuk duhet të lëkundet, duke nënvizuar se qeveria mund të bjerë, por banka jo.

Malaj lë grevën: “Mbështes kërkesat për transparencë dhe zgjedhje të lira”

Deputeti i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste, Arben Malaj, pasi la dje grevën për arsye shëndetësore, theksoi se mbështet kërkesën për transparencë të procesit zgjedhor për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai nënvizoi se qëllimi i grevës së urisë është transparenca për një të drejtë jetike, misioni i saj fisnik synon ndërgjegjësimin e të gjithë faktorëve politikë dhe shoqërorë për dështimet e përsëritura të vendit. Malaj deklaroi se protestat e PS-së dhe e grevistëve të urisë do të jenë vetëm paqësore. “Pas disa konsultave mjekësore dhe pas kërkesës së ekipit mjekësor të grevës, u detyrova ta ndërpres grevën dhe t’i nënshtrohem një seti analizash mjekësore. Rregulli bazë për të gjithë kolegët e grevës së urisë është respektimi i këshillave dhe kërkesave të mjekëve. Kjo është tërësisht e kundërt me abuzimet e disa politikanëve dhe mediave se ndaj grevistëve ka presione për të vazhduar grevën edhe kur kjo nuk këshillohet nga mjekët”, - u shpreh Malaj. Sipas tij, arroganca, agresiviteti dhe brutaliteti publik e parlamentar, keqpërdorimi politik i artistëve dhe intelektualëve të vendit, indiferenca dhe cinizmi deri çnjerëzor që manifestojnë edhe publikisht ndaj grevistëve të urisë deputetët e maxhorancës, janë provat reale të përmasave të krizës njerëzore dhe politike në të cilën ndodhet kjo maxhorancë. “Ndjehem i trishtuar për vuajtjet e çdo shqiptari nga dështimi i kësaj maxhorance, që edhe pas dhjetë muajsh ngërçi politik, me vetëdije vazhdon të përkeqësojë situatën politike, ekonomike e sociale. Pasojat e kësaj situate politike janë një kosto e rëndë për proceset integruese të vendit. Kjo situatë rrezikon të rritë efektet negative në ekonomi, duke rritur papunësinë, varfërinë e çdo shqiptari pavarësisht, nga anëtarësia partiake apo preferencat e tyre politike”, - tha Malaj.

Dade: “Jemi pranë zgjidhjes, Berisha të reagojë”

Deputetja socialiste, Arta Dade, duke iu referuar draftit të propozuar nga ndërkombëtarët, theksoi se jemi pranë një zgjidhjeje. Ajo tha se ndien keqardhje që kjo zgjidhje erdhi nga ndërkombëtarët dhe jo nga vetë shqiptarët. Dade i bëri apel kryeministrit Sali Berisha se nëse i ka mbetur një fije logjike, të reagojë duke i dhënë zgjidhje krizës. “Uroj që këto dy ditë të jepet një zgjidhje në të mirë të vendit, në të mirë të kryeministrit dhe të grevistëve”, - tha Dade. Ajo i ka cilësuar grevistët “heronj të demokracisë” për misionin e vështirë që kanë ndërmarrë.

Partia Socialiste në pushtet do të zbardhë krimet e komunizmit

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, dje, duke vizituar një pavijon kushtuar të përndjekurve politikë në Muzeun Kombëtar, ka deklaruar se PS-ja ka përfshirë në programin e saj edhe këtë shtresë dhe se me të ardhur në pushtet do të iniciojë nisma për zbardhjen e krimeve të komunizmit. “Unë jam shumë krenar dhe shumë i vendosur që PS-ja, e cila bën pjesë të programit të saj trajtimin e kësaj periudhe të errët të historisë dhe nxjerrjen në dritë të të gjitha njollave të zeza dhe të kuqe të gjakut që u derdh më kot, të mund të bëhet pjesë e vetëdijes për një të ardhme që duhet të na bashkojë jo përmes harresës, por përmes kujtesës”, - u shpreh Rama. Për Ramën duhet bërë transparencë edhe për këtë periudhë dhe u duhet shkuar në fund të gjitha të vërtetave.

17 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›