E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj leksion i hapur me studentët e UET-së

TIRANE- Kandidati i pavarur për deputet në qarkun e Vlorës, Arben Malaj, zhvilloi sot një leksion të hapur me studentët e UET-së, me temë: “Demokratizimi i dijes dhe barazia e mundësive”. Mesazhi kryesor që z. Malaj përcolli në fjalën e tij është se elementi bazë për demokratizimin e dijes është mirëarsimimi i shoqërisë. Në kushtet kur zhdukja e varfërisë është një proces kompleks, rritja e cilësisë së mirëarsimimit duhet të vlerësohet si një instrument që krijon mundësi të reja për individin.

"Lufta kundër varfërisë është, gjithashtu, një sfidë globale. Dhe në këtë këndvështrim, rritja e kostos së arsimimit është një barrierë, e cila duhet të shpërndahet më mirë tek studentët, në mënyrë që ata të kenë mundësi të marrin mësime nga lektorët më të mirë në botë. Përvoja botërore me teknologjinë e re dhe platormat online të mësimdhënies ka treguar se ato sjellin një impakt pozitiv pasi ndihmojnë edhe pedagogët për rritjen e cilësisë së mësimdhënies. Gjithashtu, demokratizimi i dijeve e rrit numrin e përfituesve, dhe ky është një detyrim pozitiv, për mënyrën se si mund të përmirësojmë barazinë në mirëarsimim ndërmjet grupeve të ndryshme sociale, që të gjithë të përfitojnë cilësinë e arsimimit", ka thënë Malaj. 

"Punësimi i mirë ka një mundësi më të mirë për të rritur mirëqënien, sjell të ardhura më të mira dhe kjo vjen si pasojë mirëarsimimit, në të kundërt mungesa e arsimimit pengon cilësinë e mirëqënies. Pasuritë natyrore nuk janë të përjetshme. Mirëarsimimi dhe investimet në edukim janë cilësia e kapitalit afatgjatë. Çelësi i suksesit është zhvillimi i mbështetur tek kërkimi shkencor. Vetëm mundësitë për kërkime të reja e rrisin mundësitë e suksesit në shoqëri. Pjesa më e madhe e novacioneve e ardhmja më e sigurtë akses më i shpejtë kapacitet më i madh për të ruajtur informacion dhe selektuar", tha ai ndër të tjera.

Në mbyllje të fjalës, Malaj i’u përgjigj interesit të studentëve të pranishëm edhe për ecurinë e deritanishme të fushatës zgjedhore.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›