E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj në NEWS24: Largimi i Islamit, politikisht i dëmshëm

TIRANË- Ish-ministri i Financave Arben Malaj ishte sot në mbrëmje i ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, në televizionin News 24. Malaj u shpreh se ndjehet njerëzisht i trishtuar për çregjistrimin e Kastriot Islamit nga Partia Socialiste, ndërsa shtoi se largimi i tij nuk i bën mirë politikës.

Malaj nënvizoi se Islami ishte një figurë me një karrierë të shkëlqyer akademike jashtë dhe brenda vendit, por nga ana tjetër sic tha Malaj ai kishte humbur fleksibilitetin brenda PS-së.

Malaj: Taksa progresive, instrument për uljen e pabarazisë
I pyetur në lidhje me programin e ri të PS-së, Malaj e cilësoi të nevojshme vendosjen e taksës progresive në vendin tonë, për të reduktuar pabarazinë që sipas tij është e dëmshme për ekonominë.

“Në një vend që rritet pabarazia, rritet varfëria dhe është mjaft e dëmshme. Taksa progresive është një instrument për të ulur pabarazinë. Taksë të tillë ka Gjermania, Franca, Italia e vende të tjera të zhvilluara.”- deklaroi Malaj.

Malaj: Kryeministri mohon krizën e tejzgjatur
Duke folur për krizën në Eurozonë, Malaj përmendi edhe ndikimet e saj në ekonominë shqiptare, e cila sipas tij nuk ka marrë masa konkrete për ta luftuar atë. "Në vendin tonë kemi një krizë shumë dimensionale dhe të tejzgjatur",- tha ai.

“Gëzuar festat e fundvitit, të jemi të kujdesshëm edhe për ekonominë në vitin që po presim”, -tha Malaj, ndërsa shtoi se “qeveria ka shtuar investimet gjatë dy viteve 2010-2011, por celsi i suksesit mbetet rritja ekonomike”.

“Qeveria po ndjek modelin keinsianist të ekonomisë, por mos harroni që kryeministri ynë e mohon që vendi është në krizë. Që ai ta pranojë vendi duhet të marrë një sërë masash”, -komentoi Malaj më tej.
Duke folur për rritjen ekonomike, të parashikuar 4,3% për vitin që vjen, Malaj tha se “shifrat e qeverisë janë thjesht statistikore, janë mënyra për ta bërë buxhetin që të duket i rregullt".

LMN i shërbeu PS-së për t’u orientuar me ide të reja
I pyetur në lidhje me debatin e “Lëvizjs për Mendimin Ndryshe” brenda PS-së, Malaj deklaroi se LMN-ja i shërbeu Partisë Socialiste për t’u orientuar me ide të reja.
“Ndihem mirë që gjithë debati që kemi bërë ka shërbyer. Nuk ka nevojë të krijohen teori konspirative që diçka e madhe po ndodh. Ka nevojë për transparencë. Debati publik ka qënë në të mirë të vendit dhe të Partisë Socialiste.”- u shpreh Malaj. 

Debati për presidentin i parakohshëm
Në lidhje me presidentin e ardhshëm të vendit dhe mundësinë për të mbështetur kandidaturën e Fatos Nanos, Malaj theksoi se debati për presidentin është i parakohshëm.
“Mbeten kandidatura potenciale por mendoj që ajo që e dallon Nanon nga kandidaturat që do dalin, është fakti që ai ka tentuar të çtensionojë situatën politike, që është një ndër tiparet e nevojshme për kryetarin e shtetit.”- përfundoi deputeti socialist.

(ma.ar/er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›