E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarret në Greqi, Athina pret shpjegime nga Ankaraja

ATHINE - Qeveria greke ndodhet në pritje të sqarimeve nga Ankaraja zyrtare, para se të marrë vendimet lidhur me deklaratat e ish kryeministrit të Turqisë Mesut Yilmaz, sipas të cilit “agjentë të shërbimeve sekrete turke vinin zjarre në Greqi, në periudhën e qeverisjes nga Tansu Ciller”. 

Siç deklaroi zëdhënësi i ministrisë së jashtme greke, Grigoris Delavekuras, përpara se të vendosë për qëndrimin e vet, Athina pret të informohet nga qeveria turke për saktësinë e deklaratave të zotit Yilmaz, por edhe për veprimet që eventualisht do të mund të ndërmarrë kryeministri Erdogan. 

Në të njëjtën linjë, edhe PASOK-u, që gjithashtu pret qëndrimin zyrtar të qeverisë turke. Zëdhënësi i kësaj partie, Panos Beglitis, tha për zgjencoinë shtetërore të lajmeve se denoncimet e zotit Yilmaz janë shumë serioze dhe duhet të hetohen menjëherë nga qeveria dhe autoritetet turke. 

Demokracia e Re thekson se bëhet fjalë për "hije të rënda në marrëdhëniet greko-turke" dhe vlerëson se kjo çështje duhet të preokupojë edhe Bashkimin Europian. 

Shefi i politikës së jashtme të ND, Panos Panagiotopulos, kërkon nga qeveria Erdogan, që t'i japë Greqisë gjithë informacionin e nevojshëm dhe të dëmshpërblejë dëmin e madh që iu shkaktua Greqisë, ndërsa thekson nevojën që të ketë një angazhim publik nga ana e qeverisë turke për të siguruar se "operacione të ndyra" të këtij lloji nuk planizohen e realizohen më nga shërbimet sekrete turke dhe segmente të ndryshme të tyre. 

"Kur kryetari i LAOS, atëherë deputet i Demokracisë së re, Jorgos Karaxhaferis, kishte guxuar të fliste për zjarrvënie nga ana e agjentëve turq, bota politike e kishte akuzuar për ekstremizëm", thuhet në deklaratën e Alarmit Ortodoks Popullor (LAOS), "Tani krimi pohohet zyrtarisht nga një ish kryeministër i Turqisë ", thekson deklarata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›