Malaj rikonfirmon kandidimin, edhe pse rrezikon të kthehet në një kandidat-kukull

Kandidati për postin e kreut të PS-së, Arben Malaj deklaroi sot, se "nuk trembet nga shumicat numerike në Kongres pasi ky është një ballafaqim modelesh dhe vlerash, por kjo nuk i jep të drejtën një shumice abuzive që bazuar mbi interesa jo të pastra politike të çojë PS-në drejt një krize të ardhshme. Nëse në një rast të caktuar propozimet tona për ndryshime statutore nuk gjetën një shumicë të caktuar, kjo minimalisht nuk i jep të drejtë një shumice abuzive që bazohet mbi interesa jo të pastra politike dhe keqpërdorim të pushtetit partiak apo ekzekutiv. Zakonisht këto shumica nuk mbijetojnë gjatë dhe unë jam i detyruar ta ndihmoj partinë time të kuptojë problematikën e saj dhe të kuptojë që ne po shkojmë drejt një krize të ardhshme", tha zoti Malaj. Duke komentuar zhvillimet e sotme në Kongresin e Jashtëzakonshëm të PS-së, zoti Malaj u shpreh se "pas një performance të dobët publike elektorale të PS, ne nuk duam që nëse sot konsiderohemi bashkëpërgjegjës për mosfitoren e PS-së, nesër të jemi bashkëfajtorë për humbjen e radhës së kësaj force politike. Ne nuk dëshirojmë kurrë që të heshtim duke parë që kjo problematikë e brendshme e Partisë Socialiste rrezikon të sjellë të njëjtin rezultat elektoral", tha zoti Malaj duke shtuar se "për këto çështje do të flasë përballë delegatëve të Kongresit të PS-së". Forumi më i lartë socialist zhvillohet pas humbjes së PS-së në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, situatë që përvijoi qëndrime të kundërta në gjirin e socialistëve lidhur me shkaqet e kësaj humbje. Nga njëra anë, Edi Rama, kryetar aktual i PS-së, dhe nga ana tjetër një grup anëtarësh të kryesisë socialiste, përfshirë këtu edhe zotin Malaj, janë pozicionuar ndryshe lidhur me qëndrimin që duhet të mbajë PS ndaj procesit zgjedhor të 28 qershorit.
...