Rama vijon ngujimin pas dyerve të mbyllura, aty ku pushtetin aty e mbajnë "të fortët" e porositur nga kryetari
Pas “dokumentarit” për denoncimin e parregullsive në zgjedhjet e 28 qershorit dhe fjalës që Gramoz Ruçi, kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të PS-së, mbajti në Kongresin e Jashtëzakonshëm të PS-së që nisi sot paradite në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, punimet e tij po zhvillohen pa praninë e gazetarëve dhe kamerave.
Partia Socialiste deklaroi tre ditë më parë axhendën e Kongresit të Jashtëzakonshëm të PS-së, duke konfirmuar se një pjesë e kongresit do të jetë e hapur për mediat. Zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli deklaroi për mediat pas mbledhjes së Kryesisë së 26 qershorit, se “në këtë mbledhje u ra dakord që t’i sigurohet publikut transparencë e plotë për të vërtetën e krimit elektoral të 28 qershorit, si dhe transparencë e plotë për platformat politike të kandidatëve që do të konkurrojnë për kryetar të PS-së".
Por, në fakt nuk ndodhi kështu. Gazetarët, përveçse një televizioni privat që përcolli sinjalin për TV-të e tjera, nuk ishin të pranishëm në shfaqjen e dokumentarit filmik, që nuk ishte i tillë. Asnjë pamje filmike që të vërtetonte “krimin elektoral” të 28 qershorit, siç e cilëson PS, përveç një pasqyrimi të deklaratave të vazhdueshme që drejtues të saj kanë thënë e kanë stërthënë përgjatë këtyre dy muajve nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare. Kësaj herë ato ishin shkruar në letër dhe u përcollën nga një zë përmes ekranit të televizorit. Gazetarët dhe publiku po informohen për atë që po ndodh në sallën e Kongresit nga socialistët që dalin e pushojnë. “Pati një propozim nga z. Blushi për të bërë ndryshime në rendin e ditës, ku përveç analizimit të zgjedhjeve dhe shqyrtimit të kandidaturave për kreun e ri të PS-së, të futej dhe paketa e propozuar prej tij për ndryshime statutore të partisë”, u shpreh për mediat deputeti Taulant Balla. Sipas tij, ky ndryshim u hodh poshtë nga delegatët. Nga 1500 delegatë pjesëmarrës, futja në rend të ditës e paketës Blushi u miratua nga 31 delegatë, tha ai. “PS ka nevojë për ndryshime statutore, por ato do të ndodhin në një të ardhme jo të largët”, vijoi Balla, ndërsa nënvizoi se “jemi kundër ndryshime statutore të imponuara”. I pyetur për ‘dokumentarin filmik’, për të cilin u fol me të madhe nga PS si një provë e fortë për “krimin elektoral të 28 qershorit”, Balla tha se “ajo që u transmetua sot ishte një raport pjesor, prezantues, që u është bërë me dije edhe organizmave ndërkombëtare. Kemi edhe prova filmike, fotografike dhe shkresore që do të jenë pjesë e veprimit tonë edhe në parlament për të denoncuar atë që ndodhi në 28 qershor dhe se maxhoranca nuk është legjitime”, tha deputetit Balla.
Ai bëri të ditur se aktualisht (ora 13: 00) sapo ka filluar prezantimi i qëndrimit zyrtar të PS-së për zgjedhjet e 28 qershorit, raport që po mbahet nga Besnik Bare, anëtar i kryesisë dhe kryetar i PS-së së Tiranës. Më pas do të flasin delegatët, për ato që ata kanë konstatuar gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit.
Pjesë e dytë, informoi Balla, do të jetë prezantimi i platformave të kandidatëve për kreun e ri të PS-së. Kandidatët e shpallur, Edi Rama, kryetari aktual, rikandidimi i të cilit kundërshtohet nga një pjesë e socialistëve pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit, Arben Malaj, por edhe Maqo Lakrori, pritet të bëjnë të ditura dhe platformat e tyre politike për drejtimin e PS-së.
...