E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malazezët e Shkodrës kërkojnë shkolla

19/11/2009  Një përfaqësi e kësaj pakice ka takuar Kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç

Një kërkesë tjetër është dhe ruajtja e mbiemrave të origjinës, shteti të ndërhyjë

SHKODER- Pakica malazeze në Shkodër ka ngritur me zë të lartë dy shqetësimet e veta, mësimin e gjuhës mëmë dhe ruajtjen e mbiemrave të origjinës. Një përfaqësi e kësaj pakice ka kërkuar një angazhim serioz të shtetit fqinj malazez për t’u plotësuar këto 2 kërkesa. Kryetari i shoqatës së pakicave malazeze në Shkodër Burhan Çuliqi së bashku me një përfaqësi të kësaj shoqate kanë takuar Kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, si dhe përfaqësuesit më të lartë të shtetit malazez. Në këtë takim thuhet se janë shkëmbyer informacione në lidhje me gjendjen aktuale të popullsisë malazeze në Shkodër si dhe me problemet me të cilat ato ballafaqohen. Përfaqësuesit nga Shkodra i kanë kërkuar Kryeministrit të Malit të Zi që të ndikojë pranë qeverisë shqiptare për të krijuar kushtet për hapjen e shkollave për të mësuar gjuhën malazeze. "Në takimin që kemi bërë jemi ndalur konkretisht në problemet tona. Kemi shtruar si problem të rëndësishëm krijimin e kushteve për të mësuar gjuhën malazeze. Është për të ardhur keq që fëmijët tanë po humbin trashëgiminë e të parëve, gjuhën. Gjatë këtij takimi me Kryeministrin Gjukanovic ne i kemi bërë të ditur situatën në të cilën ndodhet pakica malazeze në Shqipëri. Pjesë e bisedës së bërë ka qenë dhe bashkëpunimi i shkëlqyer që ekziston në mes dy vendeve",- ka sqaruar kështu për mediat Burhan Çuliq. Problemet e arsimimit në gjuhën amtare nga njëra anë dhe pengesat për kthimin e mbiemrave të origjinës në anën tjetër kanë qenë dy nga problemet me shqetësuese me të cilat janë përballur pakicat serbo-malazeze. Mësohet se Gjukanovic ka premtuar se kërkesat e shoqatës së pakicave malazeze do të bëhen pjesë e takimeve mes dy qeverive dhe se shpreson që çdo gjë do të gjejë zgjidhjen pasi marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›