E Diel, 1 Nëntor 2026

Shitja e gazit dhe karburanteve, rrezik për lushnjarët

19/11/2009  Emergjencat civile kontroll në pika, asnjë penalizmi. “Janë ngjitur me subjektet private dhe publike”

LUSHNJE- Sektori i emergjencave civile pranë Bashkisë së Lushnjës ka nisur një aksion për kontrollin e pikave të tregtimit të gazit si dhe distributorëve të furnizimit me karburant. “Qëllimi ynë është verifikimi i kushteve teknike, rregullave të sigurimit teknik dhe zbatimi i ligjshmërisë, nga subjektet e tregtimit të gazit të lëngshëm dhe subjektet e tregtimit të karburanteve”-, u shpreh Loni Boci, përgjegjësi i emergjencave civile, pranë Bashkisë Lushnjë.

Sipas tij, aksioni i nisur ditën e djeshme do të vazhdojë deri në verifikimin e plotë të gjitha subjekteve të sipërpërmendura.

Kontrolli

“Në territorin administrative të qytetit të Lushnjës ushtrojnë aktivitetin rreth 24 stacione të nëndheshme të depozitimit të karburanteve. Gjeografia e shpërndarjes së tyre është mjaft e çrregullt dhe në shumë raste ato janë stacionuar shumë pranë qendrave të banuara, subjekteve private dhe publike, çka përbën një rrezik të madh për jetën e qytetarëve”, pohon Boci.

Sipas tij, në qytet funksionojnë 8 pika të furnizimit të automjeteve me gaz dhe 5 pika shumice, për tregtimin e gazit të lëngshëm për ngrohje. “Në përgjithësi subjektet kanë përmirësuar kushtet e ruajtjes dhe magazinimit të hidrokarbureve. Kanë plotësuar detyrat e lëna nga kontrollet e mëparshme duke përmirësuar në mënyrë të ndjeshme masat e sigurimit teknik dhe vënien në gatishmëri të mjeteve dhe pajisjeve për mbrojtjen nga zjarri”-, tha Boci. Sipas tij, janë kontrolluar 13 subjekte dhe deri tani nuk ka pasur masa penalizuese. Ajo çka mbetet problem sipas tij është ndërtimi i pikave të karburanteve pranë vendeve të populluara. “Pajisja e tyre me leje, është një shkelje flagrante e rregullave dhe ligjeve të urbanistikës”, tha Boci.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›