E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maroni: Italia do të angazhohet, për anëtarësimin e Shqipërisë

19/11/2009  Basha: Kemi siguruar kufijtë

TIRANE- Lulzim Basha ka takuar në Tiranë homologun e tij italian, Roberto Maroni, me të cilin kanë biseduar lidhur me arritjet e Shqipërisë si dhe liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Evropian. Maroni garantoi ministrin e Brendshëm shqiptar, se vendi i tij do të angazhohet për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2010. “Në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave të Brendshëm të vendeve të Bashkimit Evropian që do të mbahet në fund të këtij muaji, garantova ministrin Basha për angazhimin tim të plotë për të vendosur mbi realizimin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë brenda gjashtëmujorit të parë të vitit tjetër. Shqipëria i ka plotësuar kriteret e përcaktuara në lartësinë e duhur dhe në një kohë të shkurtër”,- u shpreh Roberto Maroni. Gjithashtu ky i fundit u shpreh se angazhimi e mbështetja e Italisë për integrimin e Shqipërisë në BE dhe për liberalizimin e vizave është një fakt natyral që në një kuadër më të gjerë duhet të sjellë integrimin e të gjithë rajonit.

“Jam i bindur se procesi i liberalizimit të vizave, por mbi të gjitha procesi i integrimit të Ballkanit në Bashkimin Evropian duhet bërë sa më shpejt sepse ky rajon është pjesë e Evropës, sepse integrimi rrit nivelin e sigurisë për të gjithë vendet evropiane”,- deklaroi ministri Maroni. Ndërkohë nga ana tjetër ministri Lulzim Basha garantoi ministrin italian, se Shqipëria do të eksportojë vetëm siguri drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Evropian. Pas përfundimit të takimit Roberto Maroni ka kryer edhe një takim me Drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ku të dy palët kanë biseduar lidhur me sigurinë e kufijve tokësore si dhe të vijës bregdetare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›