E Hënë, 2 Nëntor 2026

Malazezët riatdhesojnë 31 shqiptarë, nga Sllovenia, tentonin Italinë

10/06/2005  Klandestinët kishin kapërcyer kufirin si turistë

SHKODER - Në orët e vona të mbrëmjes së mërkurë, përfaqësuesit e policisë doganore malazeze të pikës së kalimit kufitar Bozhaj, i kanë dorëzuar kolegëve të tyre shqiptarë të doganës së Hanit të Hotit, 31 shtetas shqiptarë të kapur si të dyshuar që tentonin të emigronin në rrugë klandestine. Burimet theksojnë se shtetasit e riatdhesuar ishin qytetarë nga rrethe të ndryshme të vendit dhe hetimet paraprake të policisë së vendeve fqinje dhe të asaj shqiptare kanë arritur në përfundimin e përbashkët se të gjithë këta shtetas, kishin pasur të njëjtin qëllim, atë të emigrimit drejt Italisë.

Nga hetimet e bëra është arritur që të sqarohen pikat e kalimit të këtyre shtetasve si dhe itinerari i lëvizjes së tyre, për të arritur në vendin e ëndrrës së tyre, Italinë.

Sipas burimeve të policisë së Shkodrës, mësohet se 17 shtetas nga të riatdhesuarit kanë kaluar në mënyrë të rregullt në pikën e kalimit kufitar të Morinit të rrethit të Kukësit, 3 të tjerë, po në mënyrë të rregullt e kanë kaluar kufirin shtetëror shqiptar në pikën kufitare të Muriqanit, ndërsa një shtetas tjetër e ka kaluar kufirin shqiptar në mënyrë ilegale, në pikën kufitare të Hanit të Hotit, në pjesën e pyllëzuar të faqes së malit.

Në bazë të informacioneve të para, në fund të muajit maj, shtetasit e riatdhesuar, gjatë paraqitjes së dokumenteve të tyre në pikat doganore shqiptare, janë shprehur se, qëllimi i tyre ka qënë vizita turistike në Kosovë dhe Ulqin. Duke qenë se dokumentet e paraqitura nga “turistët” shqiptarë kanë qenë në rregull, atëherë ata janë lënë të kalonin lirisht kufirin shqiptar.

Burimet shprehen se 17 shtetasit që kanë kaluar në mënyrë të rregullt në Kosovë, kanë kaluar më pas duke ecur në këmbë, në mënyrë të parregullt në shtetin e Malit të Zi dhe me gjithë masat e marra nga shteti kroat për ndalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit, kanë arritur ta kalojnë atë, duke qëndruar në atë shtet përreth dy javë, në pritje të “thyerjes” tjetër të kufirit me Slloveninë, në të cilin vendet e kalimit në këmbë për në veri të Italisë, janë të shumta.

Që në fillim të vitit 2005 e deri tani janë shënuar 4 raste me riatdhesime grupe klandestinësh. Kështu, më 12 janar 2005, u dorëzuan 34 persona të kapur në Kroaci, më 5 prill u riatdhesuan 28 persona të kapur në Slloveni, më 20 maj u riatdhesuan 30 shtetas shqiptarë të kapur në Kroaci dhe rasti i fundit, ai i mbrëmshmi regjistroi edhe 31 shtetas të tjerë të riatdhesuar, edhe këto të kapur në Kroaci.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›