E Hënë, 2 Nëntor 2026

NAPOLI NE FESTE PER MARADONEN

10/06/2005  Napoli përqafon përsëri Maradonën, pas 14 vitesh. “Pibe de oro” ka mbërritur në Napoli për ndeshjen e lamtumirës nga futbolli të Çiro Ferrarës dhe i gjithë qyteti është në festë. Në lagjen ku ndodhet hoteli ku do të qëndrojë Maradona, qarkullimi rrugor ka qenë i bllokuar gjatë gjithë ditës së djeshme, ndërkohë që forca të shumta policie kanë rrethuar hotelin. Jashtë, një turmë e madhe gazetarësh dhe tifozësh kanë përshëndetur Diegon kur ka mbërritur, ndërkohë që më pas nuk kanë pasur të mbaruar koret dhe himnet kushtuar kampionit që i ka dhuruar Napolit dy kampionate, një Kupë UEFA, një Kupë Italie dhe një Superkupë italiane në fund të viteve ’80. Në pritje të ndeshjes për lamtumirën e Çiro Ferrarës nga futbolli, që do të zhvillohet në stadiumin “San Paolo”, qyteti napoletan është i tëri në festë: televizionet dhe radiot lokale janë mbytur nga telefonatat dhe mesazhet që përshëndesin kthimin e Maradonës. Fenomeni argjentinas është pritur nga qindra tifozë që në zbritjen nga avioni, me kore të pafundme për një lojtar-legjendë, që nuk është harruar kurrë në Napoli. Maradona ka zbritur nga avioni i përqafuar nga e bija dhe është pritur nga duartrokitjet dhe përshëndetjet e punonjësve të aeroportit, që kishin vrapuar ta takonin. Pasi ka mbërritur në hotel, Diego ka dalë disa herë në dritare për të përshëndetur njerëzit e shumtë poshtë ndërtesës. “Jam shumë i emocionuar dhe i lumtur, jam kthyer për njerëzit, por tani dua të fle”, ka thënë Maradona sapo ka hyrë në hotel, ndërkohë që jashtë sa vinte rritej numri i njerëzve që dëshironin ta shihnin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›