Trezege: Largimi im? Gënjeshtër
10/06/2005 “Dua të qëndroj te Juventusi dhe të fitoj Ligën e Kampioneve”. Këto fjalë janë të David Trezegesë, i cili kërkon të qëndrojë në Torino dhe nervozohet nga zërat që flasin për një largim të tij: “Do të qëndroj, ç’farë mund të them tjetër për t’iu bindur? Të gjitha zërat që flasin për të kundërtën janë thjesht gënjeshtra, budallallëqe. Juventusi është maksimumi, përse duhet të largohem? Unë mendoj për Ligën e Kampioneve: këtë vit nuk patëm fat, por ndoshta edhe nuk u treguam shumë të zotë për ta merituar. Duhet bërë diçka më shumë dhe me siguri drejtuesit tanë do të ndërtojnë një skuadër akoma më të fortë se ajo aktuale”. Megjithatë, qëndrimi i Trezegesë në Torino varet edhe nga Luçiano Moxhi, i cili po kërkon të blejë Xhilardinon ose Kasanon. Vetëm nëse nuk do të arrihet blerja e njërit prej tyre, atëherë Trezege do të bëhet i paprekshëm. Ndërkaq, Xhixhi Bufon kërkon përforcime nga Luçiano Moxhi: “për të bërë kapërcimin cilësor, mjaftojnë pak blerje. Unë pres ndonjë surprizë nga merkatoja, por nuk di ndonjë emër. Moxhi mund të na habisë në çdo moment”.