Ferguson, gati plani dyvjeçar
10/06/2005 Pas “presionit” të ushtruar nga Glazer, lidhur me ngritjen e Mançester Junajtid në nivelet më të larta, Sër Aleks Ferguson nuk ka vonuar të kthejë përgjigjje. Ai është gati për t’i shpalosur pronarit të ri, planin e tij dyvjeçar për të arritur me të vërtetë, ato rezultate të mëdha që priten si në Premier Ligë, ashtu edhe në Evropë. Trajneri skocez ka patur një takim të veçantë me kreun e ri të klubit, Xhoel Glazer, ku ka biseduar lidhur me të rejat më të fundit. Gjatë takimit, Ferguson ka shprehur saktësisht gjithë rrugën që duhet të ndjekë ai, për të ndërtuar një skuadër, e cila do të rikthehet si në brezin e artë të viteve 90. Në këtë mënyrë, pronarët e rinj kanë mbetur të kënaqur nga planet e Ferguson dhe prandaj, kanë shprehur besimin e tyre, lidhur me sukseset që ai kërkon të arrijë. Po ashtu edhe pretendimet për një shkarkim të Ferguson, nga pankina e Mançesterit, tani duken se janë mjaft larg. Megjithatë pas finales së Kupës FA, ai kishte deklaruar se mund të tërhiqet nga puna e tij, vetëm pasi të ketë mbushur 65 vjeç. “Nuk mund të thuhet se ne po rrimë duarkryq për krijimin e një skuadre të re, ka thënë Ferguson. Kushdo që na ka parë, duke luajtur mund ta kuptojë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë. Kemi transferuar Kristiano Ronaldon dhe Uejni Runin, të cilët i kanë dhënë më shumë gjallëri skuadrës. Kemi edhe Darren Fleçer, i cili po përmirësohet gradualisht. Jam i sigurt se ai do të bëhet një mesfushor i madh. Ndërsa, për sa i takon mbrojtjes, mund të them se mosha e lojtarëve të mi është relativisht e re. Mjafton të flas për Uesli Braun, 25 vjeç dhe Xhon O’Shi 24 vjeç. Pra, në përgjithësi mosha mesatare e kësaj skuadre është rreth 29 vjeç. Po të vazhdojmë me pasurimin e skuadrës me lojtarë sa më të rinj, atëherë ne do të realizojmë gjithë objektivat tona”.