E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Malet me krom t’i kalojnë bashkisë”

Vdekja e minatorit të 13-të në një vit e gjysmë, ka shqetësuar seriozisht banorët dhe zyrtarët e Bulqizës. 

BULQIZE / ENVER DOÇI

Humbja tragjike e jetës së Xhevat Bulqizës, ende në rrethana misterioze, ka ngjallur revoltën e banorëve të qytetit verilindor. Ata shprehen se gjendja është mjaft e rëndë dhe se strukturat e shtetit duhet të marrin masa për ndaljen e vdekjeve në këtë qytet. "Na habit fakti, por edhe në stoqet ku forca të policisë punojnë për ruajtjen e jetës së njerëzve, vazhdojnë ngjarjet tragjike. Prej dy vjetësh është kërkuar privatizimi i stoqeve për të ndalur shkeljet e rënda ligjore dhe për të siguruar jetën e qytetarëve, që për bukën e gojës janë të detyruar të mbledhin krom në stoqe dhe ta shesin atë në tregun privat që lulëzon në këtë qytet". Pas reagimit të banorëve të Bulqizës janë edhe drejtuesit vendorë, që kërkojnë ndaljen e ngjarjeve të rënda dhe gjetjen e zgjidhjeve efektive. Kryetari i bashkisë, Roland Keta, në një konferencë për shtyp është shprehur se ai është i mendimit që stoqet e kromit të administrohen nga bashkia, duke argumentuar se kjo pasuri është në territorin e kësaj njësie vendore dhe se janë të gjitha mundësitë që ato të mirëmenaxhohen nga bashkia. Keta tha se duhen përshpejtuar lejet e shfrytëzimit të minierave e stoqeve dhe të mos vonohen ato deri gjysmë viti. Kryetari i bashkisë është shprehur se, megjithë përpjekjet e policisë së Bulqizës nuk janë frenuar dot njerëzit që ngjiten çdo ditë në stoqet e kromit, duke rrezikuar në çdo çast jetën e tyre dhe personave të tjerë që ngjiten në malet e stoqeve. Kryetari i Bulqizës kërkoi nga strukturat përgjegjëse, veçanërisht Ministrisë së Ekonomisë, marrjen e masave që ngjarjet tragjike të ndalen. Vdekja e 13 banorëve të Bulqizës në stoqet dhe minierat e kromit, ka krijuar një situatë të rëndë në qytetin e varfër të Bulqizës. Tashmë vdekja në këtë trevë është diçka e zakonshme. Policia dhe Prokuroria nuk kanë ndaluar apo vënë para ligjit asnjë person përgjegjës. Ajo që e ka rënduar më shumë situatën, është fakti se firmat private menjëherë pas aksidenteve kanë deklaruar se viktimat ishin fajtorë, se nuk kanë zbatuar rregullat e sigurimit teknik, se nuk janë treguar të kujdesshëm etj.

Viktimat

1. Avni Duriçi
2. Besnik Alliu
3. Zaim Hysa
4. Hysen Elezi
5. Medi Jani
6. Sami Doga
7. Hekuran Gjeta
8. Njazi Alliu
9. Përparim Haslika
10. Haki Kotja
11. Novruz Gjoka
12. Mehmet Rami
13. Xhevat Bulqiza

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›