E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, bien në pranga katër shpërndarës heroine

 

TIRANE - Katër persona u ndaluan nga policia e kryeqytetit me akuzën e shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Policia u bllokoi atyre një sasi të konsiderueshme dozash heroine, si dhe sende të tjera të cilësuara si prova materiale. Të arrestuarit, gjatë shoqërimit me pranga në polici dhe marrjes në pyetje kanë pretenduar se janë thjesht përdorues të lëndës heroinës, duke hedhur poshtë shitjen e saj për qëllime përfitimi. Erjon Cërriku, 23 vjeç i dënuar më parë për vjedhje dhe P.P., 16 vjeç, i padënuar më parë, janë ndaluar nga policia në rrugën e Kavajës, pasi me vete mbanin një sasi pluhuri të bardhë i dyshuar si heroinë. Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrollit të banesës së Erjon Cërrikut, u bllokua një sasi prej 5.6 gramë e dyshuar si heroinë, e cila ishte e paketuar me një letër alumini e gatshme për shitje. Bashkë me të, policia ka bllokuar edhe dy aparate telefonikë këtyre personave, duke iu komunikuar më pas atyre akuzën e shitjes dhe shpërndarjes së lëndës narkotike. Po kështu agjentët e antidrogës, kanë ndaluar të mërkurën edhe Gentian Shabanin 23 vjeç dhe një person tjetër, me iniciale E.R., 16 vjeç. Sipas burimeve të policisë. Ata janë kapur pranë shkollës “Sami Frashëri”, ndërsa gjatë kontrollit të kryer, policia i gjeti Gentian Shabanit një sasi prej 0.5 gramë pluhur të dyshuar si heroinë. Të gjithë personat kanë pretenduar se janë përdorues ndërsa policisë i është dashur të bëjë ekspertimet përkatëse për të përcaktuar të vërtetën.            d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›