E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet me dhunë kambisti

 

ELBASAN/ ALDI KOZARJA 

Kambisti qëllohet me dru pas koke dhe i grabiten  25 mijë euro. Ngjarja e rëndë u shënua mbrëmjen e djeshme në qytetin e Elbasanit ku Arben Kovaçi, i cili ushtronte profesionin e kambistit u plagos rëndë nga persona të paidentifikuar në një pritë pranë banesës së tij. Kambisti i plagosur u dërgua me urgjencë në gjendje kritike për jetën në spitalin kirurgjik të qytetit, ndërsa uniformat blu shoqëruan disa persona, të cilët u morën në pyetje rreth ngjarjes. Burime policore bënë të ditur se grabitja me dhunë ndaj Kovaçit u shënua rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme. “Arben Kovaçi, kambist me licencë, u godit me mjete të forta në pjesë të ndryshme të trupit rreth orës 21:00 pranë pallatit të tij në qendër të qytetit të Elbasanit”, pohuan burimet. Sipas të dhënave paraprake mësohet se Kovaçi po kthehej në banesën e tij pas përfundimit të ditës së punës kur ka rënë pre e agresorëve, të cilët mendohet të kenë qene tre vetë. Pasi ka parkuar automjetin e tij pranë shtëpisë së tij në bulevardin “Qemal Stafa” ai është nisur drejt shtëpisë. Vetëm pak metra larg nga automjeti, teksa po kalonte në hapësirën mes dy pallateve ai është goditur pas koke me një send i cili dyshohet të ketë qenë dru. Goditja e fortë e ka lënë pa ndjenja kambistin ndërsa agresorë janë larguar në drejtim të paditur më gjithë cantën e tij të parave. Ai është gjetur në gjendje të fikëti nga banorë të zonës, të cilët e kanë dërguar atë në spital. Ndërkohë, e lajmëruar prej tyre forca të shumta policie dhe një grup hetimor kanë mbërritur në vendngjarje. Burime policore bënë të ditur se gjatë orëve të mbrëmjes janë shoqëruar për në komisariatin e Elbasanit rreth 30 persona, të cilët janë pyetur rreth ngjarjes. Ata kanë qenë banorë të zonës, si edhe persona me precedentë të mëparshëm penalë të grabitjes. Burimet sqaruan se grupe policore kanë ushtruar kontroll në banesat e rreth 15 nga të shoqëruarve. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme policia nuk bëri të ditur nëse personat e implikuar në ngjarje ishin mes të shoqëruarve. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›