E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mali i Zi i njeh pasaportat kosovare

Turistët kosovarë do të mund të udhëtojnë në Mal të Zi duke përdorur pasaportat kosovare me stemën e Republikës së Kosovës, ka deklaruar Jusuf Kalamperoviç ministër i policisë në Qeverinë e Malit të Zi.

Sipas tij, Mali i Zi këtë e bën duke e vazhduar traditën e njohjes së dokumenteve të udhëtimit të kosovarëve, të cilët deri tani e kanë pasur stemën e UNMIK-ut.

"Qeveria e Malit të Zi për këtë ka marrë vendim në mbledhjen e kaluar të qeverisë dhe ky vendim nuk nënkupton as njohjen dhe as mosnjohjen e Kosovës nga Mali i Zi, por do të thotë se Mali i Zi, si anëtar i OKB-së, të pranojë të gjitha dokumentet për të cilat është dhënë pëlqimi i UNMIK-ut", tha ministri Jusuf Kalamperoviç.

Në këtë mënyrë Mali i Zi do vazhdojë ta mbaj të hapur kufirin me Republikën e Kosovës edhe pas daljes së pasaportave të shtetit më të ri evropian. Po ashtu kufiri malazez do të vazhdojë të mbetet i hapur edhe për të gjithë mallrat që vijnë nga Kosova.(INA)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›