E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, asgjësohen mbi 2 mijë rrënjë kanabis

Shkodër- Mbi 2 mijë rrënjë kanabis sativa janë asgjësuar sot në Shkodër në kuadër të një operacioni të koduar “Target”, me pjesëmarrjen e 100 forcave të policisë.

Sipas burimeve policore, objekt i këtij operacioni ka qenë komuna Gur i Zi, pikërisht fshatrat Mazrek, Shpor etj, rreth 40 km larg Shkodrës, të cilët prej vitesh janë të përfshirë në hartën e zonave ku kultivohet kanabis sativa dhe çdo vit policia gjen e asgjëson atje bimë narkotike.

Operacioni është zhvilluar nga toka dhe uji, përmes liqeneve të hidrocentraleve të Vaut të Dejës dhe Komanit, ku me gomone me motor, forcat e policisë i janë drejtuar bjeshkëve të Mazrekut, aty ku kanë pasur informacion se ka të mbjellë kanabis sativa.

Në parcela të shkëputura nga njëra-tjetra dhe në mes të zonës së pyllëzuar, e fshehur mes pemësh të larta, por dhe në drejtim të ujit janë gjetur e asgjësuar me anë të djegies mbi 2000 rrënjë bimë narkotike.

Ndërsa operacioni do të vazhdojë deri vonë, pasi kontrollet dhe asgjësimet e kanabis sativës në këtë zone vazhdojnë, mësohet se deri tani nuk ka asnjë person të ndaluar me akuzën e kultivimit të bimës narkotike.

Kjo pasi toka ku është gjendur bima narkotike është pa pronar të ligjshëm, pasi është në lartësi dhe zonë e pyllëzuar. Sipas drejtorit të policisë së Shkodrës, Nikolin Bala, operacione të tilla do të bëhen dhe në zonat e tjera malore të këtij qarku, ku mendohet se janë të mbjellura bimë narkotike.

Mbjellja e kanabis sativës në toka të shpyllëzuara e pa pronar të ligjshëm është një mënyrë e kultiuesve për t’i shpëtuar përgjegjësisë ligjore dhe kjo formë tashmë është e njohur nga policia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›