E Diel, 1 Nëntor 2026

Mali i Zi, rezultatet jo zyrtare zgjasin mandatin e Gjukanoviç

 

Mali i Zi pritet t’i japë një mandat të ri partisë kryesore të koalicionit qeverisës prej shumë vitesh të drejtuar nga Milo Gjukanoviç. Partia e Gjukanoviç pritet të fitojë rreh 50 për qind të votave, mes tetë partive dhe shtatë koalicioneve në garë.    Më shumë se 490 000 votues kishin dje të drejtën për të zgjedhur parlamentin e ri në Malin e Zi. Këto ishin zgjedhje të parakohshme në Malin e Zi të kërkuar nga kryeministri i vendit, Milo Gjukanoviç, i cili tha se duhej të kishte mbështetje të fortë për të konfirmuar rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në struktura euroatlantike. Zgjedhjet e parakohshme janë njoftuar nga presidenti malazez Filip Vujanoviç më 27 janar, një ditë pasi parlamenti vendosi të përfundojë mandatin e tij në detyrë. Kryeministri Milo Gjukanoviç bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme 18 muaj përpara se përfundonte afati i tij me kërkesën se duhet të kishte një mandat të plotë katërvjeçar për të realizuar synimet e tij të anëtarësimit. Sipas sondazheve dhe rezultateve zyrtare paraprake pjesa më e madhe e votuesve ka mbështetur Partinë Demokratike të Socialistëve të drejtuar nga Gjukanoviç. Për Komisionin Evropian zgjedhjet në Mal të Zi janë vendimtare. Dy javë më parë Komisari për Zgjerimin, Oli Rehn, lavdëroi Milo Gjukanoviç për sukseset e qeverisë malazeze në reformat politike dhe ekonomike. Partitë shqiptare u paraqitën me 5 subjekte dhe këto forca politike besohet se mund të marrin tre vende në parlament.
Konkurrentët kryesorë ishin koalicioni qeverisës “Për Malin e Zi Evropian” i drejtuar nga Gjukanoviç, dhe partitë opozitare: Partia Socialiste e Popullit, Demokracia e re Serbe dhe Lëvizja për Ndryshim. Që në vitin 1990 fituese e zgjedhjeve në Malin e Zi ka qenë partia e Gjykanoviç, si rrallë vende të tjera ku për kaq shumë vite zotëron një parti mes shumë të tjerash. Nga ana tjetër partitë e opozitës nuk konkurrojnë me një ‘biletë’ të vetme.
Partitë opozitare kanë si synim përmirësimin e marrëdhënieve me Beogradin. Zgjedhjet e para shumë-partiake në Malin e Zi u zhvilluan në dhjetor 1990. Fituesja ishte Liga komuniste e Malit të Zi, që sot quhet Partia Demokratike e Socialistëve, partia e Gjukanoviç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›