E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërrimi i stinëve, rikthehen virozët gripalë e alergjitë

 

ZIRINA LLAMBRO

Pas një muaji konstant, rikthehet fluksi i virozëve të stinës. Luhatja e temperaturave ka shtuar ndjeshëm numrin e fëmijëve që paraqiten në urgjencë për të marrë asistencë mjekësore. Tre ditët e fundit në pediatrinë e spitalit “Nënë Tereza” janë paraqitur mesatarisht 160 fëmijë me virozë gripalë. Një pjesë e tyre madje kanë pasur edhe komplikacione deri në broshit dhe pneumoni. Temperaturë e lartë, të vjella e diarre. Këto janë simptomat kryesore të virozëve që po qarkullojnë. “Ato prekin kryesisht fëmijët 0-4 vjeç, por nuk përjashtohen edhe më të rriturit”, sqarojnë mjekët. Ata theksojnë se me shfaqjen e shenjave të para prindërit duhet të vizitojnë tek pediatri fëmijët e tyre, në mënyrë që të evitohen komplikacionet e të bëhet trajtimi i duhur. “Por këshilla kryesore që u japim të rriturve është që të bëjnë kujdes me automjekimin, në asnjë rast të mos përdorin ilaçe pa u konsultuar më parë me ne”, thonë mjekët. Përpos kësaj në këtë periudhë vihet re edhe një rritje e qytetarëve, që paraqiten në shërbimin e alergologjisë. Sipas mjekëve alergjitë stinore janë normale dhe kalojnë, por nuk duhet të anashkalohen, pasi mund shkaktojnë një sërë pasojash për organizmin. Shenjat e tyre janë lot nga sytë, rrjedhje hundësh e teshtima. Bluzat e bardha këshillojnë të bëhet kujdes me to pasi janë ndër shkaqet kryesore të shfaqjes së astmës që është një sëmundje mjaft problematike. “Vështirësi në frymëmarrje dhe kriza të shpeshta kanë qenë disa nga pasojat e lagështirës dhe të ndryshimit të temperaturave. Edhe pse shkaktarët kryesorë të astmës janë alergentët, lagështira e ajrit dhe ndotja e tij luajnë një rol të rëndësishëm në përkeqësimin e kësaj sëmundjeje”, thonë mjekët. Sipas tyre, mosha më e prirur për të kaluar në astmë është mosha e mesme. Kohët e fundit vihet re një rritje e numrit të fëmijëve me këtë sëmundje. Stili i jetesës ka rritur prevalencën e sëmundjeve alergjike e për pasojë edhe numrin e të sëmurëve me astmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›