E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali i Gjirokastrës, Oketa i dorëzon çelësat Godos

 

Spitali Ushtarak i Gjirokastrës, tashmë do të presë edhe pacientët civil. Disa muaj pasi specialistët grekë që e administronin e dorëzuan zyrtarisht atë tek Ministria e Mbrojtjes, dje kjo e fundit ia la “stafetën” finale për menaxhim Ministrisë së Shëndetësisë. Gjatë ceremonisë së dorëzimit të godinës njëkatëshe kanë qenë të pranishëm ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, ministria e Shëndetësisë, Anila Godo, si dhe funksionarë të tjerë të qeverisjes vendore. Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, ka shprehur mirënjohjen për gjithçka të investuar, nga ana e qeverisë greke në dobi të pacientëve të rajonin jugor. “Kontributin që ka dhënë qeveria greke për ngritjen e kësaj godine mbart frymën dhe angazhimin e të dy palëve për marrëdhënie të sinqerta fqinjësh, jo vetëm nga gjeografia e traditat, por gjithashtu për vlerat e përbashkëta dhe angazhimet demokratike”, tha Oketa. Pas dorëzimit në mënyrë simbolike të çelësave të Spitalit Ushtarak, ministrja e Shëndetësisë Anila Godo ka falënderuar Oketën, duke u shprehur se kjo është dhurata më e bukur që i është bërë shëndetësisë. “Banorët e rajonin jugor e meritojnë këtë dhuratë, pasi ata janë bujarë dhe mikpritës”, ka pohuar Godo, -duke shtuar se është e bindur se mjekët dhe personeli mjekësor, do të vazhdojnë t’i trajtojnë me kujdes banorët e këtij rajoni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›