Tepelenë, qëllon 20-vjeçarin për kullotën
TEPELENE - Për një rrip toke kullotë, qëllon me sëpatë bashkëfshatarin e vet. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës në fshatin Luftinjë të Tepelenës, kur 18-vjeçari Altin Velaj ka qëlluar me sëpatë bashkëfshatarin e vet Arjan Sinomati, 20 vjeç. Mësohet se shkak i kësaj goditjeje ka qenë për motive pronësie. Policia e Tepelenës ka bërë arrestimin e agresorit brenda pak orëve, fill pasi u lëshua urdhër-arresti nga organi i akuzës së Gjirokastrës. Gjithçka ndodhi në kullotat e fshatit Luftinjë, rreth 10 km në veri të qytetit të Tepelenës kur i pari që ka filluar sherrin ka qenë Velaj, i cili i ka kërkuar Sinomatit, të kulloste bagëtitë e tij në një vend tjetër, pasi territori ku ndodhej ishte zënë më parë nga ai. Mesa duket sugjerimi në formën e kërcënimit nuk është marrë parasysh nga 20-vjeçari. Në këto momente Velaj ka rrëmbyer sëpatën e druve që e kishte me vete dhe e ka qëlluar Sinomatin. Ky i fundit ndërkohë ka nxituar t’i shmanget goditjes, por tehu i sëpatës e ka kapur në pjesën e prapme të trupit, duke e plagosur në kurriz. Pas goditjes, adoleshenti është larguar në panik në drejtim të pyjeve të fshatit, duke e lënë viktimën të shtrirë në shesh të mbytur me gjak. Pasi kanë parë 20-vjeçarin e shtrirë në shesh, banorë të Luftinjës e kanë shoqëruar për në spitalin e Gjirokastrës dhe pas disa ndërhyrjeve kirurgjikale, ai i shpëtoi mrekullisht vdekjes dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. p.n