E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca e BE-së: Kosova të gjejë vend në procesin e integrimit

 

Presidenca aktuale e Bashkimit Evropian ka kërkuar që Kosova të gjejë vendin e saj në procesin e integrimit të të gjithë Ballkanit. Çekia, kryesuesja e radhës së unionit përkrahu procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit perëndimor. “Brukseli duhet të pranojë kërkesat për vendet kandidat dhe më pas edhe t’i pranoj në Union, vendet të cilat i plotësojnë kriteret. Karshi vendeve të tjera të rajonit edhe Kosova duhet ta gjejë vendin e vet në procesin e integrimit”, tha përfaqësuesi çek. Në deklaratë thuhet se Kosova në vjeshtë do të ketë studimin e fizibilitetit nga Komisioni Evropian për mundësitë e integrimit ndërsa sipas vlerësimeve të kryesueses së BE-së, duhet që Kosova në mënyrë konstruktive të afrohet në iniciativat rajonale. Çekia, me mbështetjen e të gjithë shefave të diplomacive të vendeve të BE-së, ka kërkuar që BE-ja të jetë solidare me vendet e Ballkanit perëndimor në këtë kohë të recesionit ekonomik. Këto vende do të ndihmohen nga pakoja e zbutjes së krizës në kuadër të kornizës së instrumentit të para-anëtarësimit, thuhet mes të tjerash në deklaratën e lëshuar nga Çekia. Në takimin e ministrave të Jashtëm të shteteve të BE-së, për procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ishte i ftuar pa të drejtë fjale edhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni. Takimi u mbajt në Boheminë Jugore. Pas tij ministri Hyseni pritet të zhvillojë takime me një varg homologësh nga Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›