E Hënë, 2 Nëntor 2026

Maliqi-Braçe, akuza për fushatën elektorale

19/05/2005  Zona e Beratit përfshihet nga përplasjet

Ndonëse, fushata elektorale ende nuk është hapur zyrtarisht, në zonën 75, të Beratit, po zhvillohet një përplasje e ashpër. Kandidati i PS-së, Erion Braçe, ka akuzuar kandidatin e LSI-së, Lefter Maliqi, për pengim të fushatës, e cila, sipas tij, po degjeneron në banalitet. Braçe, përveçse ka vazhduar akuzat ndaj tij, për përfshirje në trafikun e pasaportave, e ka akuzuar se po i prish fushatën elektorale. "Maliqi së bashku me njerëz të tij të inkriminuar, që përfaqësojnë partinë kriminale të Metës, është duke më penguar fushatën që unë po zhvilloj", është shprehur Braçe. Ai është shprehur se do t'i drejtohet të gjitha ambasadave në Tiranë, policisë dhe prokurorisë për këtë që po ndodh. Nga ana e tij, Maliqi është kundërpërgjigjur se, gjithçka është pjesë e skenarit të Braçes, pasi është duke ndier humbjen e merituar. "Braçe po e sheh dhe e ndien që është i rrezikuar në këto zgjedhje, është shprehur Maliqi. Nëse Braçe së bashku me socialistët e tjerë, që e shoqërojnë, nuk pritet mirë nga elektorati, kjo do të thotë se votuesit janë ndërgjegjësuar për zhgënjimin që kanë pësuar gjatë këtyre viteve", tha Maliqi. R.Gjata

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›