E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rendi: Policia e Shtetit zbatoi ligjin me bashkiakët

19/05/2005  Sherri institucional për ish-Bllokun mes dy pushteteve

Zona e ish-Bllokut është kthyer në një mollë sherri mes Policisë së Shtetit dhe Bashkisë së Tiranës, sa i përket qarkullimit të makinave. Urdhri i Kryebashkiakut, që të mos lejohen makinat është thyer dhe policët e rendit kanë arrestuar dy ditë më parë gjashtë kolegë të Bashkisë. Dje kanë reaguar dy institucionet, që nuk kanë ndalur ende duelin ligjor.

Policia

Në reagimin e saj, Policia e Shtetit ka saktësuar se "Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, duke vlerësuar

bashkëpunimin shumë të mirë dhe shumëplanësh me strukturat e Bashkisë së Tiranës, pasi ka kontrolluar dhe verifikuar veprimet e Policisë së kryeqytetit, për normalizimin e qarkullimit rrugor në zonën e ish-Bllokut, konstaton se të gjitha masat e marra janë në përputhje të plotë me detyrimet ligjore të përcaktuara nga Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë dhe aktet e tjera nënligjore. Nisur nga shqetësimet e ngritura nga banorë të zonës së lartpërmendur, Policia e Tiranës ka vepruar në bazë të nenit 6 të Kodit Rrugor, në të cilin sanksionohet se “organi kompetent i pushtetit lokal, vetëm në bazë të udhëzimeve të ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse dhe Ministrisë së Rendit Publik, mund të pezullojë përkohësisht qarkullimin e të gjitha ose disa kategorive të mjeteve në rrugë apo pjesë të saj”. Një udhëzim i tillë nuk është kërkuar nga asnjë strukturë e pushtetit vendor.

Gjithashtu, në nenin 11 të Kodit Rrugor ndër Shërbimet e Policisë

Rrugore, përcaktohet edhe “Kujdesi dhe kontrolli i përdorimit të rrugës”. Ministria e Rendit ka deklaruar se, sipas pikës 3 të Kodit Rrugor, “Shërbimet e policisë rrugore kryhen nga Ministria e Rendit Publik, e cila është kompetente për bashkërendimin e shërbimit të policisë rrugore me organet e tjera që kanë detyrime në këtë fushë”.

Konflikti

Dy ditë më parë, Policia e Shtetit është përplasur për arsye kompetencash me Policinë Bashkiake të Tiranës. Ndonëse policët bashkiakë kanë pasur dhe përkrahjen e kryetarit Rama, të ndodhur në vendin e ngjarjes, ngjarja ka pasur fund të tensionuar. Përballë lokal "Tajvanit", kokëfortësia e pamotivuar në ligj, u ka kushtuar shoqërimin në furgon 6 prej policëve të Bashkisë së kryeqytetit. Lëvizja me makina në ish-Bllok, bllokimi i mjeteve, vënia e gjobave që nisin nga 50 mijë lekë të vjetra, kanë qenë shkak i zënkës së rëndë të dy ditëve me parë. Bashkiakët, të ndodhur përballë vendosmërisë së Policisë së Rendit, janë tërhequr duke u bërë kandidatë për pranga. Qarkullimi në ishullin e ndaluar të rojtarëve të pushtetit lokal, është marrë nën mbikëqyrje nga kolegët e pushtetit qendror, që kanë qenë dhe "fituesit" e betejës.

Ankesat e qytetarëve dhe sqarimet e policisë

Ndërkaq nisur nga disa ankesa dhe reagime të qytetarëve të ndryshëm të Tiranës dhe qyteteve të tjera mbi ekzekutimin e kompetencave të policisë rrugore ndaj automjeteve dhe drejtuesve të tyre për parkime të gabuara, duke iu referuar sërish Kodit Rrugor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit sqaron:

1.Në të gjitha rastet kur Policia e Shtetit, nëpërmjet shërbimeve të saj të Qarkullimit Rrugor, merr masat e gjobitjes ndaj drejtuesve të automjeteve pa qenë ata vetë prezentë, identifikohet institucionalisht me logon “Policia e

Shtetit” dhe individualisht me emrin dhe gradën e punonjësit të

policisë, nëpërmjet biletave të gjobave sipas modaliteteve të prezantuara.

2. Në rastet e transportit dhe zhvendosjes nga policia të automjeteve të parkuara në kundërshtim me rregullat e qarkullimit rrugor, qytetarët e interesuar, në përputhje me ligjin, mund të marrin nëpërmjet çdo shërbimi të policisë së Tiranës, informacionin e duhur mbi vendndodhjen e saktë të automjetit të tyre dhe procedurat që duhen ndjekur për të bërë të mundur zhbllokimin e tyre.

3.Në çdo rast, qytetarët e penalizuar nga shërbimet e Policisë së Shtetit, mund të ankimojnë masat në vendet e treguara për këtë qëllim. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, duke vlerësuar se sensibilitetet e krijuara mund të zgjidhen me mirëkuptim institucional, fton strukturat kompetente në Bashkinë e Tiranës, me të cilat vazhdon të ketë një bashkëpunim dhe një koordinim shumë të mirë, që të hartojnë të gjithë kuadrin e munguar ligjor, në mënyrë që të ndajnë së bashku përgjegjësitë e

sigurisë publike në rrugë.

Nënkryetarja e Bashkisë: Policia e Shtetit pengoi Policinë Bashkiake të bëjë detyrën

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Vali Bizhga, ka reaguar lidhur me incidentin mes Policisë së Shtetit dhe asaj Bashkiake. Në deklarimin e Bashkisë thuhet: "Më lejoni t’ju sqaroj paraprakisht se nuk ka pasur asnjë konfrontim mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake, siç është referuar gabimisht në disa media, por ka pasur pengim të punonjësve të Bashkisë për kryerjen e procedurës së zakonshme të bllokimit të rrugëve të zonës së ish-Bllokut. Kujtojmë qysh në fillim, se i njëjti urdhër i bazuar në ligj nga ana e Kryetarit të Bashkisë është zbatuar vitin e shkuar në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, pasi është konfirmuar në përputhje me ligjin nga Prefekti i Qarkut të Tiranës si përfaqësues i pushtetit qendror në nivel lokal. Jemi të opinionit se ky rast krejt i shkëputur në zinxhirin e bashkëpunimit mjaft korrekt mes Bashkisë së Tiranës dhe Policisë së Shtetit gjatë gjithë këtyre viteve, duhet të mbetet i tillë dhe se vijimi i ushtrimit të trysnisë së djeshme mbi pushtetin vendor do të ngrinte një pikëpyetje të madhe lidhur me pavarësinë e këtij të fundit, e me të drejtën kushtetuese për ta ushtruar këtë pavarësi. Pretendimi mbi ankesat e të huajve apo të banorëve të ish-Bllokut, lidhur me të cilin Policia e Shtetit justifikon jozyrtarisht ndërhyrjen e saj të paligjshme, nuk është përgjegjësi e organit të policisë, por e organit të zgjedhur të qeverisjes vendore, ku adresohen dhe trajtohen të gjitha këto pretendime apo ankesa. Pra, në asnjë rast e për asnjë arsye nuk është policia ajo që gjykon apo më keq akoma korrigjon standardet e qeverisjes së një komuniteti apo vendi. Informojmë se çështja e të gjitha makinave me targa diplomatike është zgjidhur qysh vitin e kaluar me të drejtën e kalimit në rrugën ku kalojnë lirisht edhe taksitë apo autombulancat etj. Edhe çështja e banorëve që disponojnë garazhe në zonën e ish-Bllokut po zgjidhet në favor të këtyre të fundit. Kemi komunikuar edhe me parë dhe po e rikonfirmoj që të gjithë ata banorë, të cilët disponojnë dhe paraqiten pranë Bashkisë me dokumentin e pronësisë për garazhet, do të pajisen me karta hyrëse. Të tjerë kanë të drejtë ta kritikojnë këtë vendim, por ne gjykojmë se shkalla e lartë e ndotjes në këtë zonë për shkak të niveleve disa herë mbi normat e lejuara të ndotësve, që çlirohen nga qarkullimi shumë intensiv i makinave, është më shqetësuese për komunitetin sesa çdo gjë tjetër. Shpresojmë që Policia e Shtetit do të reagojë pozitivisht duke e mbyllur këtë incident aspak të nevojshëm. Baza ligjore e funksionimit të organeve të qeverisjes vendore, nuk le në këtë rast asnjë shteg për ekuivoke që shpeshherë krijohen për shkak përplasjesh të përgjegjësive e kompetencave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›