E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndërtuesit bëjnë pallate 20 për qind të pashitur

19/05/2005  Çmimet e kripura për xhepat e shkodranëve nuk iu lejojnë të blejnë shtëpi

SHKODER - Dy vitet e fundit në qytetin e Shkodrës kanë shënuar edhe “bumin” e ndërtimeve të pallateve të reja nga privatët, por vazhdimi i ndërtimeve të reja duket se tani po gjendet në vështirësi.

Vetë ndërtuesit e shohin vështirësinë në dy drejtime, ku nga njëra anë janë vështirësitë administrative dhe burokracia institucionale dhe nga ana tjetër niveli i ulët ekonomik në qytetin e Shkodrës, që për ndërtuesit do të thotë vështirësi në gjetjen e blerësve.

Nga ana tjetër, drejtuesit e Bashkisë shprehen se ka pak sheshe ndërtimi dhe ato janë të vogla. Përveç kësaj, ndërtuesit janë duke kontaktuar direkt me pronarët e trojeve për t’ua blerë atyre dhe kryesisht interesi i tyre është përqëndruar në qendër të qytetit ose pranë saj, ku janë ndërtuar edhe pallatet e para nga 5 deri në 10 kate.

Ndërtimet

Sipas ndërtuesve, që kanë investuar deri më tani në ndërtimin e pallateve të reja në qytetin e Shkodrës, mësohet se është Bashkia, e cila nëpërmejt Këshillit të Rregullim Territorit vonon shumë dhënien e lejeve për ndërtim.

Ndërsa nga ana e Bashkisë për gazetën “Metropol” janë dhënë shpjegimet se ka qenë vonesa e krijuar nga këshilli bashkiak për emërimet në KRT.

Megjithatë, edhe pas ankesave dhe justifikimeve reciproke, në qytetin e Shkodrës, sot, numërohen 10 pallate të reja, ndër të cilat 6 janë të përfunduara plotësisht dhe 4 janë në përfundim e sipër.

Futja e linjës së ndërtimit të pallateve nga firmat private erdhi kryesisht nga rritja e numrit të të pastrehëve në Shkodër dhe pamundësia e Bashkisë nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave për të plotësuar kërkesat e tyre, duke bërë që ndërtimi i pallateve të reja të kthehet në biznesin më fitimprurës për firmat ndërtuese në këtë qytet, duke parë edhe çmimet e kripura të këtyre pallateve.

Shitjet

Por, megjithëse rreth 20 për qind e apartamenteve të këtyre pallateve janë të pashitura. Për të pastrehët, pallatet e reja me arkitekturë moderne janë vetëm një ëndërr e paarritshme, pasi në tregun e sotëm çmimet e pallateve të reja në qendër me sipërfaqe 80-90 m2 variojnë nga 45 deri në 65 milionë lekë të vjetra. Ndërsa çmimet e pallateve ekzistuese të ndodhura po në qendër me të njëjtën sipërfaqe variojnë nga 32 deri 38 milionë lekë të vjetra. Në periferi, pallatet e reja mungojnë dhe të vjetrat shkojnë nga 28 deri në 30 milionë lekë, çmime këto që variojnë nga kati në kat, nga pocizioni apo dhe punimet e bëra brenda apartamentit nga pronarët.

Aktualisht, ndërtuesit në Shkodër janë duke vjelur fitime të mëdha nga dyqanet që janë të parat që shiten, madje katet e para të pallateve të reja të ndërtuara posaçërisht për dyqane shiten pa nisur ende ndërtimi.

Çmimi i këtyre dyqaneve te pallatet në qendër arrin deri në 1000 dollarë m2, ndërkohë që për dyqanet te pallatet e vjetra çmimi vërtitet nga 40 mijë deri në 50 mijë lekë m2.

Fatin e blerjes së këtyre pallateve të reja si dhe të dyqaneve poshtë tyre e kanë kryesisht emigrantët, si dhe një pjesë e kamur e qytetit që po mundohen t’i kthejnë paratë e tyre në apartamente apo dyqane.

Vetë pronarët e këtyre pallateve kanë thënë për “Metropol” se kryesisht hyrjet e reja janë blerë nga familjarët e emigrantëve apo edhe nga vetë ata që kanë vendosur të kthehen nga vendet fqinje, ku kanë jetuar dhe punuar për vite të tëra, për të mbledhur paratë për një shtëpi të re. Ajo çka bie në sy është se një pjesë e mirë e banorëve të pallateve të reja të përfunduara apo dhe ato që i kanë porositur banesat e reja, që në fazën e ndërtimit, janë kryesisht të porsaardhur, apo të ardhur gjatë viteve të fundit në qytetin e Shkodrës nga rrethinat e këtij qyteti apo nga qytete të tjera veriore.

10 pallate të reja

të ndërtuara

550 – 700 USD m2

apartamentet e reja

1000 USD m2

çmimi i dyqaneve në pallatet e reja

40 - 50 mijë lekë m2

çmimi i dyqaneve në pallatet e vjetra

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›