E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fsheh 5 mijë euro në këpucë

Nga Express më 18 korrik 2011 në ora 20:23

Doganierët e Kosovës gjatë kontrolleve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, kanë arritur të zbulojnë mallra të cilat persona të ndryshëm tentuan t’i fusnin kontrabandë. Madje, doganierët sot gjatë kontrollimit të një pasagjeri që udhëtonte për në Turqi përveç shumës së deklaruar, kanë gjetur edhe 5 mijë euro të fshehura në këpucët e tij.

Në degën doganore të Aeroportit “Adem Jashari”, oficerët doganorë fillimisht kanë zbuluar telefona mobil, USB dhe para të padeklaruara në tentim kontrabandimi gjatë tri ditëve të fundit.

Rasti i parë me telefona ka ndodhur kur një pasagjer fizik i cili sapo kishte arritur nga Italia, është selektuar për kontroll dhe pas procedurave kontrolluese të valixhes, oficerët doganorë kanë zbuluar të ketë sasi të madhe të fshehur të telefonave celulare dhe USB.

“Sasia e mallit te zbuluar është si në vijim: Telefona mobil NOKIA 1800-(16 copë), mandej USB2.0/256 gb (65copë), USB2.0/128gb (32ëcopë), USB2.0/64gb (33 copë) si dhe USB DISK2.0/4gb(35 copë)”, bëri të ditur zëdhënësi i Doganës, Adriaktik Stavileci.

Sipas llogaritjeve të para, vlera totale e mallrave të kapura në tentim kontrabandë është 13900 euro dhe në bazë të kodit doganor dhe të akcizës, pala në fjale ka bërë kundërvajtje.

Stavileci tha se për këtë arsye malli është ndaluar dhe lënda për këtë rast i dërgohet sektorit për kundërvajtje doganore për zhvillimin e procedurave të mëtutjeshme.

Ndërsa një rast më specifik ka ndodhur sot rreth orës 14.00, në dalje pas kontrollit të pasaportave, kur është selektuar për kontroll një pasagjer që udhëtonte drejt Turqisë.

“Pasi që është ndaluar pasagjeri është pyetur nëse ka diçka për deklarim si dhe nëse ka mjete monetare mbi 10.000 euro. Pala ka deklaruar verbalisht se me vete i ka rreth 8.500 euro. Pas kontrollit fizik në xhepat dhe në bagazhin personal të tij kemi gjetur sasinë prej 13.300 euro, ku 5.000 euro i janë gjetur të fshehura në këpucët e tij të mbathura, respektivisht nën shtresën e fundit të tyre (nga 2.500 euro në secilën prej tyre)”, tha Stavileci.

Bëhet e ditur se lidhur me këtë rast pala ka bërë kundërvajtje doganore konform ligjit 03-L/196. Për shkeljet ligjore Dogana e Kosovës ka bërë edhe konfiskimin e parave.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›