E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peshqit e ngordhur, dyshohet për sëmundje

Specialistët e shërbimit veterinar dyshojnë se ngordhja e peshqve në liqenin e Prespës mund të ketë ndodhur si pasojë e një sëmundjeje mykotike. Për këtë arsye janë marrë kampione, të cilat do t‘u nënshtrohen analizave të specializuara laboratorike për të konfirmuar shkakun e vërtetë që ka çuar në një situatë të tillë. Kjo është konfirmuar nga ana e drejtorit të shërbimit veterinar Benjamin Napuçe, sipas të cilit inspektorët të cilët kanë verifikuar situatën në terren kanë hedhur dyshime për një sëmundje mykotike dhe si rrjedhojë kanë marrë disa kampione për analiza. Specialistët nuk përjashtojnë as mundësinë që në liqenin e Prespës të ketë ndodhur një fenomen natyror, megjithatë, sipas shërbimit veterinar, do të jenë analizat laboratorike dhe përgjigjja e tyre që do të thotë edhe fjalën e fundit për atë që ka çuar në ngordhjen masive të peshqve të vegjël, që kanë dalë në breg të liqenit. Sipas Napuçes, nëse vërtetohet se peshku është i infektuar nga kjo sëmundje duhet që të merren masa nga të dyja shtetet për ndërhyrjen në ujërat e liqenit të Prespës së Madhe.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›