Mallakastër, fontanë në pusin e ndalur, asnjë i lënduar
>Në zonën naftëmbajtëse të Hekalit në rrethin e Mallakastrës ka ndodhur fontanë në një pus i cili prej disa kohësh nga kompania e naftës Albpetrol i ka kaluar për shfrytëzim kompanisë së huaj Stream Oil. Pusi ka qenë i fondit të ndalur dhe fontanimi ka ndodhur gjatë procesit për tu rivënë në punë.
Në vendngjarje menjëherë kanë shkuar tre automjete zjarrfikëse dhe tre ambulanca si nga Ballshi ashtu edhe nga Fieri. Punonjës e stafi inxhiniero-teknik i kësaj firme kanë shkuar në vendin e ngjarjes për të vënë situatën nën kontroll. Rreth orës 18 në puset që firma e huaj Stream Oil ka marrë për shfrytëzim në zonën naftëmbajtëse të Ballshit, ka shpërthyer fontana. Pusi ka qenë në zonën e Hekalit dhe ka shpërthyer fontanë gazi. Sipas përfaqësuesit të kësaj firme, inxhinier Petrit Sulkaj mësohet se firma ka marrë së fundmi nga qendra e prodhimit të naftës në Ballsh disa puse të fondit të ndalur. Njëri prej tyre ka qenë edhe pusi që fontanoi gaz. Punonjësit kanë qenë duke punuar për ta rivënë në punë, ndërkohë që për në raste të tilla veprohet edhe me reagent kimik. Punonjësit kanë qenë duke punuar në shtresë, kur ai ka fontanuar. Po sipas tij mësohet se pusi kur është marrë në dorëzim si pus i ndalur kishte pasur pajisje të vjetra. Pritej vënia e tij në punë që të pajisej me pajisje e makineri të reja të firmës.